Florian Agalliu është një nga aktorët më simpatik të kohëve të fundit. Aktori i teatrit, ku sezonin e kaluar performoi në shfaqjen “Shiko kush erdhi”, është shfaqur për herë të parë për publikun në serialin komik “Komuna e Parisit” me rolin e Enos, një rol i cili i dha suksesin që e ndjek ende sot. Në 2013 nga media u shpall edhe personazhi më simpatik mashkull. Për Florin, puna e një aktori është po aq e bukur sa edhe e vështirë. Sëfundmi ai ka qenë edhe imazhi zyrtar i “Lotarisë Kombëtare”. Në sezonin e kaluar televiziv Flori erdhi në ekranin e Vizion Plus me emisionin “Blind Taste”, një ndër formatet më të suksesshëm në botë. Në një rrëfim ekskluziv për InfoMedia Albania, Flori tregon eksperiencën që po kalon në spektaklin e vallëzimit Dancing With The Stars Albania por edhe projektet e reja që ka në teatër dhe televizion.
https://www.youtube.com/watch?v=r11BBaK1gLw
Përse pranuat të ishit pjesë e Dancing with The Stars?
Në fakt nuk kisha qënë kurrë pjesë e ndonjë konkursi serioz ku të kisha mundësi të provoja veten në çfarë do llojë fushe. Në momentin e parë që mu bë ftesa pranova pa hezituar dhe më pas fillova të vrisja mendjen a dija të kërceja apo jo, por i kushtova më tepër rendësi fizikut, doja që të isha në formë kur të vinte dita e gjykimit. Pata më shumë se një muaj e gjysmë kohë për tu marrë me veten dhe them se në fund ia dola. Arrita që në puntatën e parë të isha në peshën ideale dhe në parametrat e duhur sportiv. Dhe them që kam bërë atë që duhej.
Si kanë qenë mardhëniet e Florit me kërcimin para se të ishit pjesë e Dancing with The Stars?
E kam pasur gjithmonë qejf por asnjëherë se kisha praktikuar seriozisht, përveç në ndonjë rast dasme apo feste. Kam dhe një histori me një kurs baleti në fëmijëri por ajo është shumë e hershme dhe nuk ja vlen as ta përmendesh. Ndërsa në akademinë e arteve e kemi pasur lëndë të veçantë kërcimin skenik. Aty kam marrë disa njohuri për kategori të caktuara kërcimi.
E niset garën me një performancë mjaft të arrirë dhe në një nivel të lartë. A ju ka nxitur ajo performancë që të kërkoni më shumë nga vetja?
Ta nisësh me tango nuk është aspak e thjeshtë por mua më doli ndryshe, mesa duket kisha rastisur me një nga kërcimet e mia të preferuara. Patëm kohë pak më shumë të punonim me performancën e parë dhe përfundimi ishte mbreslënës. Unë nuk e dija në çfarë niveli e kisha kërcimin pasi as Lori nuk tregonte për shumë arsye profesionale dhe kur u përballa me fjalët e jurisë ngela, u hutova dhe pas atij momenti jam motivuar së tepërmi për të punuar. Nuk dua kurrësesi të ul nivelin e përgatitjes sime, gjithmonë përpiqem ta cojë përtej limiteve të mia, vetëm ashtu e di që mund të bëj përshtypje në publik dhe akoma më tepër te juria.
Dancing With The Stars e shikon si sfidë apo po e shijoni si një spektakël i cili të jep emocione pozitive?
Asgjë tjetër përveç se sfidë. Aty na kanë marrë që të garojmë me njëri-tjetrin dhe unë atë po bëj, kjo nuk do të thotë që nuk kënaqemi por e para është puna (ego) pastaj vjen argëtimi.
Si janë mardhëniet e Florit me balerinën partnere Lori?
Mardhënia ime me Lorin është shumë e mirë. Ajo është profesioniste në të gjitha drejtimet. Fati është që kemi mbaruar të njëjtën shkollë dhe jemi me parime pune të njëjta, të dy e njohim skenën dhe punën në grup, edhe si tip është si nuk ka më mirë, kërkuese kur duhet tolerante herë pas here dhe shumë altruiste. Vihet re që në koreografitë që ndërton, liria dhe mundësia të cilën ajo me jep mundohet gjithmonë të nxjerrë vlerat e mia se të sajat dhe kjo është për tu admiruar, këtë e bën vetëm një profesionist!
Cfarë ju tremb më shumë në këtë garë?
Në këtë garë më tremb më shumë eleminimi. Fituesi mbahet mend gjithmonë. Kush nuk do donte të kujtohej si fitues i “Dancing with The Stars 6”.
Performanca më e bukur e realizur në Dancing With The Stars, sipas jush cila është?
Sa herë që pres të dal në skenë i them Lorit që ky ka për të qënë një kërcim fantastik. Për secilin kështu kam thënë. Ama kur i rikthehem e i rishoh mendoj se rumba dhe valsi janë dy kërcime klasi që vështirë se do të kem mundësi ti përsëris sërish në jetë.
Po performanca që ju ka lodhur më së shumti?
Ka qenë country, nuk e prisja të më lodhte aq shumë. Kur u hodh koreografia u bëra nervoz se dhe hapat më dukeshin shumë të çuditshme, i vetmi kërcim që nuk e kam çuar dot deri në fund me frymarrje gjatë provave. Ishte gjithë kohën pupthi dhe kishte nevojë për shumë energji e çuditshme por e vërtetë!
Cilat janë pikët tuaja më të forta në këtë garë?
Puna që bëj për ta realizuar një kërcim dhe koha që mendoj se si duhet të jetë ai kërcim. U bënë më shumë se dy muaj që edhe kur eci në rrugë numërojë me vete. Më është bërë ves!
Je një ndër konkurentët të cilët në 6 edicione të Dancing With The Stars ke marrë pikët më të larta, pothuajse në çdo performancë. Cdo të thotë për Florin ky fakt?
Asgjë! Nësë këtë intervistë do e bënim pasi të isha shpallur fitues atëherë do të kisha ç’të thoja.
Shumë ju shikojnë si fitues të këtij edicioni. Po ju e shikoni veten fitues apo mendoni se e meriton më shumë dikush tjetër në garë ?
Që të jem i sinqertë konkurencën e ndjej. Synimi im për momentin është të kap finalen, pastaj po nuk më tradhetuan këmbët dhe mendja them se do arrijë ta fitoj!
Fansia më e madhe juaja është vajza. Cfarë këshilla ju jep ajo?
Kënaqësinë më të madhe nga gjithë kjo histori po e përjeton Mia, është e dashuruar pas DWTS dhe sidomos pas Lorit. Ka shumë qejf të vij në studio e të shohi balerinat. Por Lorin e sheh me shumë admirim, ka filluar të kuptoj dhe pikët e jurisë. Kjo është lufta ime më e madhe. Cdo të enjte përpiqem që mos të zhgënjej Mian, nëse nuk marrë së paku një 10, atëherë për të unë nuk kam qenë i mrekullueshëm. (të jesh i mrekullueshëm sipas Mias duhet të marrësh 10). Mia nuk jep këshilla, vetëm vërejtje!
Keni krijuar miq në Dancing With The Stars?
Sigurisht, mikesha ime më e madhe si fillim është Lori. Besoj do i mbetem mirënjohës gjithmonë për sa kohë ajo është lodhur dhe ka punuar me mua. Pastaj të gjithë pjesën tjetër i kam kolegë. Ndajmë ndonjë kafe herë pas here por kjo nuk e përkufizon termin miqësi. Nuk kam shumë kohë fizike tu përkushtohem jashtë punës, ndaj dhe jam pak i privuar nga miqësitë e reja në përgjithësi.
Sezonin e kaluar televiziv ishit në ekranin e Vizion Plus me formatin “Blind Taste”, një format tepër i pëlqyer dhe i ndjekur. A do ketë një sezon të dytë për Florin si moderator?
Patjetër pritet të fillojë së shpejti transmetimin.
A mund të na zbuloni dicka më shume rreth këtij formati në ketë edicion të dytë?
Mund t’ju them që janë zhvilluar audicionet dhe janë përzgjedhur konkurentët. Këtë vit do kemi mundësi ta ndjekim me personazhe të thjeshtë dhe jo vip. Me konkurentë që kanë pasion gatimin por që në jetë kanë zgjedhur të bëjnë punë të ndryshme. Do të ketë një përballje të fortë karakteresh dhe situata të vështira për tu përballur. Formula është e testuar në shumë vende të botës, sikundër edhe tek në me sezonin e parë. Në sezonin e dytë Blind Taste do të jetë jo thjesht një emision gatimi.
A di të gatuaj Flori?
Unë di të gatuaj dhe madje shumë mirë. Pas Blind Taste krijova një mardhenie shumë të mirë me gatimin aq sa nuk rri dot larg kuzhinës. Më pëlqen të provoj receta të reja.
Cili është ushqimi juaja i preferuar?
Perimet, në të gjitha trajtat e tyre. Zgare të ziera në gjellë apo sallatë. Na i ka dhenë natyra falas. Mundohem ti rrijë sa më larg ushqimeve të konservuara.
Do i rikthehet Flori aktrimit dhe teatrit?
Në janar! Teatrit, dashurisë së vjetër!
Cilat janë projektet që e presin Florian Agalliun në të ardhmen?
Televizioni do mbetet vendi ku do shihemi më shpesh!
Një mesazh për të gjithë lexuesit e kësaj interviste dhe ndjeksit e Info Media -Albania?
Ju falenderoj shumë për punën që bëni dhe për seriozitetin e intervistës. Përshëndes të gjithë ndjeksit e InfoMedia Albania dhe ju garantoj që po merrni informacionin e saktë… Një 10 pikësh për ju!
EKSKLUZIVE InfoMedia Albania / Intervistoi G. Qerimi
Nuk lejohet publikimi dhe riprodhimi i këtij materiali pa autorizim.