Këngëtarja Eneda Tarifa është gati të rikthehet në televizion në rolin e moderatores.
Pas një pushimi të gjatë këngëtarja e njohur do të moderojë formatin e suksesshëm “Këngë Moj” në sezonin e ri.
Sipas burimeve të InfoMedia Albania produksioni ka arritur të mbyll marrëveshjen një ditë më parë me këngëtaren e cila ndër vite ka dëshmuar profesionalizmin në prezantim duke u bërë një nga figurat më të dashura të ekranit.
Spektakli “Këngë Moj” transmetuar në Vizion Plus mes viteve 2020 – 2022, rezultoi një format i suksesshëm si në nivelin artistik ashtu edhe përsa i përket shikueshmërisë.
Ai erdhi në ekran si një spektakël unikal, duke përcjellë tek publiku këngën e bukur shqiptare, si atë tradicionale, popullore e qytetare, ashtu dhe muzikën e kultivuar ose siç cilësohet kënga e muzikës së lehtë. Artistët më cilësorë e më të famshëm, këtej dhe përtej kufijve, ishin garancia e suksesit të këtij formati televiziv. Emra si Eli Fara, Aurela Gaçe, Irma Libohova, Artiola Toska, Remzie Osmani, Aleksander Gjoka, Eranda Libohova, Ylli Baka, Bujar Qamili, e deri tek më të rinjtë si Aurel Thëllimi, Marsela Çibukaj, Juliana Pasha, Era Rusi, Ervis Behari etj etj., ishin një pjesë shumë e rëndësishme e suksesit dhe audiences maksimale te këtij spektakli. Nga ana tjetër, repertori muzikor i përzgjedhur me shumë kujdes ngs producentët artistikë, perlat muzikore në vite, ishin vlera e shtuar e këtij spektakli, që në tre sezone televizive u paraqitën si një risi edhe për tregun mediatik.
Për këtë arsye, Vizion Plus dhe Promotor, kanë vendosur të risjellin në ekran këtë format televiziv por me një formë tjetër. 11 yje të këngës shqiptare, 11 emra të mëdhenj, me famë e admirues, e që garantojne audiencë televizive, do të jenë pjesë e këtij edicioni të ri të “ Këngë Moj” duke bërë një seleksionim të kujdesshem përsa i përket tregut aktual muzikor.
Këtë herë, spektaklet do të serviren si Koncerte të formës “One Big & Friends“, si “Ylli Baka & friends“, “Albina Kelmendi & friends“, e kështu në vijim 11 netë.
Secili prej artistëve vjen me repertorin e tij më të mirë, superhite të karrierës sëtij, por edhe këngë të cilat do të donte ti kishte ne repertorin e tij dhe që i sjell për herë të parë. Një pjesë e këngëve do të intepretohen solo nga vetë protagonisti i mbrëmjes, ndërsa disa do të interpretohen në duet ose trio sipas rastit.
Pjesë e rëndësishme e spektaklit padyshim do të jetë dhe formacioni orkestral “Këngë Moj“, nën drejtimin e Altin Llakajt, e cila ka në përbërjen e saj instrumentistë virtuozë të cilët me mjeshtërinë e tyre, ashtu si në edicionet e kaluara, do të sjellin kualitet muzikor me interpretimin “Live“.
Përveç netëve të parashikuara me 11 artistët e mysafirët e tyre të çdo nate, parashikohet dhe një natë e 12 si spektakël i Natës së Vitit të ri, ku përmbajtja do të jetë kënga shqiptare kryesisht popullore e qytetare, ku do të jenë prezentë të 11 artistët e këtij edicioni.
Sezoni i ri i “Këngë Moj” do të nis në datë në 12 Tetor, çdo të enjte ora 21:00 në Vizion Plus.