Kampion në sportin të cilin e kultivon tashmë prej disa vitesh. Egzon Hyseni vjen në një rrëfim ndryshe, ku tregon eksperiencën e tij. Pas disa trofeve, ai tashmë vjen edhe me një biznes të tijin, duke pasur gjithnjë në qendër të vëmendjes shëndetin dhe trupin e mirë. Edhe pse një trup i “frikshëm”, në jetën e tij të përditshme Egzon Hyseni është gjithnjë i qetë, duke respektuar gjithkënd.
Si nise të merreshe me bodybuilding?
Arsyeja apo shkaku që unë fillova të merrem me bodybuilding ka qenë pesha shumë e ulët e imja, do të thotë dëshira për të shtuar ndonjë kg më tepër.
Je renditur në shumë vende si kampion; cilat cilësi të tuat t’i kanë dhënë këto çmime?
Mendoj që disiplina e hekurt dhe dëshira e madhe që të jem i pari kanë qenë shkaku kryesor i trofeve të mia.
Meshkujt kanë një imazh të brishtë e delikat… Çfarë mund ta shtyjë atë të “hyjë në fushën e burrave”?
Karakteri është shtylla kryesore e një mashkulli.
Me çfarë po merresh tani?
Tani për tani fokusi kryesor është biznesi, gjithashtu udhëheq fitnesin “FlexGym” dhe bëj punën si personal trainer, po ashtu merrem me përgatitjen e garuesve të rinj.
Si mund të krijohet një trup si ky? Çfarë nevojitet?
Ky sport, mund të them bindshëm është maratonë, me këtë nënkuptoj se duhet punë shumë e gjatë, e mundimshme, disiplinë dhe shumë sakrificë që të arrihen forma të tilla të trupit.
Na trego diçka më shumë për veten…
Ajo që më karakterizon mua është disiplina dhe një karakter i pathyeshëm, të cilat më mundësojnë që të jem i suksesshëm në punë, sport, familje dhe shoqëri.
Si të kanë pritur shokët, miqtë dhe familjarët kur je kthyer si kampion?
Padyshim që ka qenë një gëzim i madh te ata, janë motivi që unë të mos ndalem asnjëherë dhe çdoherë kur jam kthyer si kampion ka qenë një pritje e papërshkrueshme, që më ka sjellë edhe më shumë vullnet të vazhdoj më tutje.
Ti, si je në jetën tënde të përditshme? Po aq i brishtë e delikat si çdo mashkull me muskuj?
Njeri shumë i qetë, i shoqërueshëm me të gjithë dhe shumë familjar.
Përveçse merresh me stërvitje, çfarë bën gjatë ditës?
Përveç stërvitjes, kohën tjetër e shpenzoj rreth biznesit dhe pjesën tjetër ia kushtoj familjes sime.
A ke dëshiruar ndonjëherë të rrahësh keq një mashkull për ndonjë arsye?
Dhuna dhe vandalizmi janë gjëra të cilat të largojnë nga të qenët sportist, kështu që, pavarësisht se të gjithë kemi raste kur jemi të zemëruar me ndonjë person, prapëseprapë arrij shumë mirë ta menaxhoj këtë pjesë, e cila do më dëmtonte imazhin e sportistit.
Ke pasur interes të themelosh ndonjë shoqatë apo klub që do të mbrojë interesin e meshkujve që merren me këtë sport?
Për disa vite me radhë kam qenë anëtar i bordit të Federatës së Bodybuildingut të Kosovës, tani nuk jam më, por çdoherë jam i gatshëm në çdo kohë të ndihmoj sportistët e vërtetë.
Te ne ka shumë tabu… dhe besoj se ti ke thyer një ndër to. Cili ka qenë reagimi më i çuditshëm që ke hasur në këtë aspekt?
Ka qenë tabu mund të them 5 vite më parë, tani dalëngadalë ka filluar të bëhet lifestyle i secilit, po reagimet kryesisht kanë qenë duke menduar që trupi formësohet vetëm me suplemente, pa u stërvitur fare, deri në momentin që kanë filluar të stërviten vetë.
Ti je një nga meshkujt e rrallë me super forma dhe kampion; si e komenton këtë?
Kjo më bën edhe më të motivuar për të mos u ndalur, sepse jo çdokush mund ta bëjë këtë që po e bëj unë tani, që me pak fjalë them se është punë 24-orëshe.
Më thuaj pak avantazhet dhe disavantazhet që ka një mashkull me trup si yti…
Avantazhet janë të shumta, që nga aspekti shëndetësor e deri te respekti që ke nga njerëzit e tjerë. Po ashtu është shumë më e lehtë të depërtosh në çdo fushë tjetër, sepse krijon shumë lidhje me njerëzit. Ndërsa disavantazhe nuk e besoj që mund të ketë, përveç privatësisë dhe gardërobës me të cilën nganjëherë kemi problem të gjejmë numrin dhe modelin që na përshtatet.
A je paragjykuar ndonjëherë për trupin që ke?
Jo, asnjëherë, përveç atyre të cilët nuk ushtrohen dhe përdorin justifikime.
Gjithashtu, keni edhe 1 fitnes tuajin në Kosovë. Çfarë e bën ndryshe nga fitneset e tjerë?
Mos vallë një mashkull që vjen aty, mund të synojë edhe muskujt?
Po, është fitnesi “FlexGym”. Ajo çka e dallon fitnesin tonë nga të tjerët janë pajisjet, ajrosja që është primare për një fitnes, pastërtia, kujdesi që kemi ndaj klientëve. Po ashtu ne ofrojmë një ambient të ngrohtë, që të bën të ndihesh tamam si pjesë e ekipit, jo vetëm si klient.
Si mendon, pse te ne ka kaq pak dashamirës të këtij lloj sporti?
Si në çdo sport tjetër, edhe te ky sport kuptohet që kemi ngelur më mbrapa, për shkak të së kaluarës sonë që kemi pasur si popull, por tani mund të them bindshëm se edhe ne jemi në të njëjtin rang me popujt e tjerë sa i përket fitnesit, ka filluar të bëhet lifestyle i secilit.
Si e sheh perspektivën e këtij lloj sporti te ne?
Shumë shpejt do të jetë sport që do futet brenda secilës familje, gjë e cila tani vetëm është duke ndodhur, mendoj që është duke pësuar rritje shumë të madhe.
A dëshiron që fëmijët e tu kur të rriten të ndjekin rrugën e babait?
Patjetër që po! Sporti është pjesë e imja, e gruas sime po ashtu, që do ua transmetojë edhe fëmijëve tanë, është një diçka që ne si familje sportin e kemi pjesë të pandashme të jetës.