Është pritur sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, delegacioni që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës për Fëmijë, “Junior Eurovision Song Contest”.
Këngëtarja 10-vjeçare Efi Gjika, e cila është edhe kompozitorja e këngës “Barby”, që do të konkurrojë për Shqipërinë në 25 nëntor në Minsk të Bjellorusisë, i dhuroi kryebashkiakut Erion Veliaj një album të këngës, por edhe këndoi gjatë takimit.
Kryebashkiaku Erion Veliaj i premtoi kantautores 10-vjecare që në ditët e festivalit europian, ai do të promovojë këngën “Barby” në rrjete sociale, në mënyrë që të votojnë sa më shumë shqiptarë kudo ku janë për të. E gjithashtu që do të transmetojë këngën në sheshin Skënderbej, kur aty të vendoset pema e Krishtlindjes.
Kënga “Barby”, e kantautores Efi Gjika, u shpall fituese mes 16 këngëve për fëmijë nga mosha 9-14 vjec në festivalin Junior Fest, festivali i këngës për fëmijë nga mosha 9-14 vjeç, nata finale e së cilës u zhvillua në Amfiteatrin e Liqenit Artificial në Tiranë, në 23 shtator dhe u transmetua drejtpërdrejt në rrjetin e RTSH.