Një tjetër skandal i radhës përfshiu mbrëmë Televizionin Publik Shqiptar. Kur të gjithë i kishim kthyer telekomandat nga ky televizion për të ndjekur gjithë kureshtje prezantimin e parë të Kombëtares Kuqezi pas përfaqësimit historik në Euro 2016, çuditërisht në vend të futbollit të luajtur, ky televizion futi në transmetim një kasetë të dhënë e stërdhënë disa herë me pjesë baleti nga Angjelin Prelocaj duke na lënë pa gojë të gjithëve, ose më mirë me gisht në gojë.
Një rast i pazakontë por i përsëritur deri në paturpësi për një televizion që paguhet me taksat e shqiptarëve të cilëve edhe njëherë ju mohua Kombëtarja e tyre nga ky ekran. Ashtu sikurse ndodhi edhe gjatë Europianit ku TVSH po me paturpësinë më të madhe, në një tallje të hapur me kontributin e taksapaguesve shqiptarë që e mbajnë në këmbë, doli edhe u komunikoi shqiptarëve se nëse donin ti shikonin ndeshjet e Europianit; midis tyre edhe të Kombëtares, mund ti dëgjonin nëpërmjet valëve të Radios. A thua se shqiptarët jetojnë akoma në kohën e Anton Mazrekut të famshëm, ku për të mësuar mbi zhvillimet e ndeshjeve të Përfaqësueses në mungesë të televizorit nëpër shtëpia shqiptarët duhet ti vinin veshin Radios.
E pra kjo ndodhi edhe mbrëmë. Edhe pse Anton Mazreku me komentin e tij brilant ka kohë që i është larguar kësaj jete, shqiptarët ata që nuk kanë para të paguajnë paketat e shtrenjta të operatorit privat satelitor që transmetonte ndeshjen, u detyruan me pahir të zgjidhnin ose të ndiqnin balet ose të ktheheshin si qëmoti dhe të gjenin frekuencat e harruara të Radio Tiranës për të mësuar se sa ishte rezultati i ndeshjes. Ose poshtërimi më i ulët të shkonin nëpër lokale dhe ta paguanin me birra Kombëtaren, edhe pse shumica mezi nxjerrin muajin me bukë të përditshme, ose tu drejtoheshin Fan Zonave ku një bukë e qofte dhe një birrë kushton sa frëngu pulën.
Interesa të cilat nuk është e vështirë për të kuptuar se në xhepat e kujt arkëtohen. Dhe këtë “të mirë” shqiptarëve ua bën pikërisht Televizioni Publik Shqiptar, i cili ka një buxhet vjetor prej 1.3 miliard lekësh, para këto të arkëtuara nga taksat e shqiptarëve, atyre shqiptarëve që ky televizion minimalisht nuk u transmeton as ndeshjen e Kombëtares së tyre. Të mos flasim pastaj për cilësinë e programeve apo edicionit të lajmeve që të vetmit besnikë të mbetur të TVSH-së janë disa nostalgjikë që presin ende me shpresë që ky televizion të kthehet në lavdinë e dikurshme.
Po ky Televizion Publik që u mohoi shqiptarëve Europianin, pikërisht në një moment historik të Kombëtares shqiptare dhe që pa pikë turpi u komunikonte shqiptarëve se ndeshjet e Europianin mund ti ndiqnin në Radio Tirana. Pikërisht ky televizion i cili mban të hapura disa frekuenca, midis tyre edhe RTSH Sport, që nuk kuptohet se cili është qëllimi që këto kanale mbahen hapur kur ato nuk kryejnë funksionin e tyre.
E pra mbrëmë shqiptarët u detyruan të shikonin balet. Respekte për Angjelin Prelocaj. Që është dhe do të mbetet një nga koreografët dhe eksportet më të mira të përfaqësimit të kulturës shqiptare në skenat botërore. Por mbrëmë kam besimin që edhe vetë Prelocaj me shumë kënaqësi do të refuzonte që veprën e tij artistike TVSH ta përdorte si një kasetë fut e nxirr për të mbushur programin në një kohë kur shqiptarët prisnin të shikonin Kombëtaren e tyre. Përurim më terr se ky nuk mund të kishte për impiantin e rindërtuar “Loro Boriçi”. Të paktën nuk e di se si vetë kryeministrit Rama i ka shpëtuar një detaj i tillë. Një sebep i mirë për të rritur kredencialet te votuesit, sidomos në këtë vit të fundit elektoral. Nuk e di se ç’justifikim do të gjejë këtë radhë TVSH për këtë skandal të radhës. Nuk e di!
Nga Dritan Laci