Dita botërore e shtypit ishte rasti për të nxjerrë në dritë për të disatën herë nivelin e informalitetit që ka prekur mediat shqiptare. Aleksandër Çipa, kryetari I Unionit të Gazetarëve ka bërë të njohura shifra të ditura nga të gjithë në botën e gazetarëve, por të pa publikuara më parë:
“Në 23 gazeta të përditshme të vendit, vetëm në 4 prej tyre respektohet dhënia e pagave korrekte në kohë – deklaron para mediave Çipa – në 72 televizionet e vendit, vetëm në 10 prej tyre nuk ka vonesa të pagave dhe detyrimeve financiare ndaj punonjësve; nga 71 radiot, vetëm në 8 paguahen rrogat në mënyrë korrektë dhe nga 250 webe dhe gazeta online të çelura përgjatë periudhës 2014 e gjer më sot, në të cilat rezulton të jenë punësuar mbi 320 gazetarë, vetëm në 50 prej tyre ka një sistem modest pagesash”.
Bilanci i informalitetit në media është i frikshëm: Në 19 gazetat, në 62 televizione, në 63 radio dhe dhe në 200 faqe web (pra në 85% e mediave të vendit) gazetarët ose nuk janë paguar në kohë, ose nuk janë paguar fare.
Analiza e Çipës nuk përfshin tre mëkate të tjera të rënda për të cilat janë fajtorë shumë botues: evazioni tatimor, evazioni i sigurimeve shoqërore (për disa vite, deri pak muaj më parë, një televizion i rëndësishëm kombëtar deklaronte vetëm 96 punonjës edhe pse kishte në punë 500) dhe pirateria e transmetimeve: nga raporti më i fundit i AMA-s, rezulton se 80 përqind e televizioneve shqiptare shkel ligjin mbi licensat televizive, duke pushtuar dhjetëra kanale në mënyrë ilegale.
Lista e mediave informale përfshin edhe emra mediash shumë “prestigjioze” studiot e të cilave apo faqet e të cilave frekuentohen shpesh nga deputetë, ministra e ambasadorë që nuk pyesin fare se çfarë vendi po frekuentojnë.
Është tamam sikur policët të dilnin për darkë me trafikantë droge, sikur punonjësit e tatimeve të bënin pushime me evazorët fiskalë, o sikur një mjek në vend që të shpërndante ilaçe të këshillonte konsum virusi. Dikush mund të thotë se një Shqipëri për fat të keq ndodh edhe kjo, por jo për këtë arsye duhet ta pranojmë e të dorëzohemi sikur të ishte një gjë normale.
E keqja e mediave informale është se ato (shpesh në mënyrë shumë agresive) i rrëmbejnë burimet publicitare publike apo private mediave të rregullta, pasi marrin pjesë në shpërndarjen e atyre pak të ardhurave të disponueshme në tregun e reklamave pa u penalizuar në asnjë lloj mënyre për ilegalitetin e tyre.
Praktikisht bizneset e mëdha dhe Shteti bëhen bashkëpunëtorë të një sistemi të përgjithshëm paligjshmërie që gjen formën e shprehjes më të dukshme në punën në të zezë të gazetarëve.
Ndërsa qeveria më në fund po dënon ata që ecin me shpejtësi me makinë, ata që pinë duhan në lokalet publike, ata që ndërtojnë pa leje apo ata që nuk paguajnë faturat e energjisë elektrike (të gjitha krime që për shumë vite janë konsideruar legjitime nga shqiptarët), nuk harxhon akoma asnjë energji për të tentuar imponimin e respektit të rregullave edhe në tregun e mediave transparenca e të cilave duhej të përbënte një nga shtyllat e para të rilindjes liberale dhe demokratike të vendit.
Televizionet (përpara se radiot, gazetat dhe faqet web) prej vitesh janë terreni për një aktivitet intensiv pastrimi parash: perandori të tëra editoriale kanë lindur dhe vazhdojnë të financohen pa logjikën më minimale financiare dhe pa transparencën minimale mbi origjinën e kapitalit, dhe luksi me të cilin janë veshur mbetet mister për pjesën më të madhe të shqiptarëve dhe për vetë politikanët që nuk shqetësohen të frekuentojnë ato studio. Një luks i pashpjegueshëm që shpesh komentohet me batuta ironike të thëna nën zë, në vend që të ishin dënime publike apo hetime gjyqësore.
Perandori editoriale të ndërtuara mbi argjilë, “piramida mediatike” në sensin e vërtetë të fjalës që nuk janë prekur në gjithë këto vite, por që tani nisin të lëkunden: fakti që 85 përqind e mediave nuk arrin të paguajë pagat e gazetarëve dëshmon se ndoshta burimet financiare ilegale që kanë ushqyer këto “monstra” kanë nisur të thahen. Eshtë paradoksale pra që kriza ekonomike e denoncuar sot nga Aleksandër Çipa ndoshta përbën një sinjal pozitiv, prova që tregu i medias ka nisur procesin e tij të gjatë dhe të dhimbshëm të pastrimit. Një shpresë ama që kërkon bashkëpunimin e Shtetit, pa të cili asnjë katarsis mediatik nuk do të jetë vërtetë i mundur.
Për këtë arsye vazhdojmë të besojmë se pas dekriminalizimit të politikës ka ardhur momenti edhe i dekriminalizimit të medias: një proces i domosdoshëm për ta bërë më në fund Shqipërinë një vend të lirë dhe normal.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)