Kryeministri Edi Rama është renditur në vendin e katërt në Europë, si politikani me interaktivitetin më të madh në rrjetin social “Facebook”. Nga ana tjetër ai mban vendin e parë në botë për numrin e postimeve në vitin 2020, me plot 812 postime.
Sigurisht që viti 2020 do të mbahet mend gjatë në histori, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Për shkak të Covid-19 rrjetet sociale kanë qenë platforma më e mirë dhe e sigurtë për të komunikuar, duke shmangur kontaktin fizik
Krahas mbledhjeve të punës, konferencave në “Zoom” dhe deklaratave për media online, për herë të parë, partitë politike zgjodhën që të organizonin edhe fushata online.
Sipas studimit më të fundit të të dhënave të popullaritetit dhe interaktivitetit në “Facebook” nga “Terrada”, Edi Rama është politikani i katërt më i ndjekur në Evropë për vitin 2020, me 1.3 milion ndjekës. Ai ka lënë pas liderë vendesh të fuqishme si dhe ata të vendeve fqinje, ndërkohë që para tij qëndrojnë Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte dhe në vend të tretë Kryministri anglez Boris Johnson.
Kreu i qeverisë shqiptare renditet në vendin e gjashtë në Evropë për numrin e reagimeve të ndjekësve, me rreth 5.6 milion “live” apo “emoticons” në 2020. Në total numri i komenteve në faqen e kryeministrit Edi Rama ishte 524,9 mijë dhe 216,2 mijë shpërndarje.