I ftuar në “Top Story”, të së enjtes mbrëma në Top Channel, kryeministri i vendit, Edi Rama, ia ka rritur ndjeshëm audiencën emisionit të Sokol Ballës, që javët e fundit kishte shënuar vazhdimisht një shikueshmëri më të ulët sesa konkurrenti i tij në të njëjtën orë, programi “Opinion” i Blendi Fevziut, sipas të dhënave nga kompania “Telemetrix”, që mundëson llogaritjen e audiencës në kohë reale, në bazë të një teknologjie dhe sistemeve më të fundit në këtë fushë.
Ndërsa e kanë nisur me të njëjtin rating në orën 21 të mbrëmjes (Rating – tregon shikueshmërinë gjatë një fashe kohore apo programi televiziv, e shprehur kjo si përqindje e totalit potencial të audiencës; pra duke përfshirë edhe familjet që nuk janë duke parë televizor), audienca ka ndjekur fillimisht Opinion në Klan, por më pas vëmendja ka kaluar gradualisht në intervistën që kryeministri i vendit po jepte në Top Channel, që si në një film me finale të madhe, ka rritur audiencën sa më shumë i afrohej fundit, duke arritur një rating maksimal prej rreth 15% në orën 22.30 të mbrëmjes.
Ndërkohë, Opinion ka shënuar një rënie të ndjeshme të audiencës (deri në 5%), në pjesën e dytë të intervistës së kryeministrit, teksa e gjithë vëmendja u përqendrua në deklaratat e Ramës.
Megjithëse, në fasha të ndryshme kohore, shikueshmëria për telenovelën Dashuri e Ndaluar ka qenë më e lartë se gjatë kohës së intervistës së kryeministrit, m një rating maksimal prej 23%.
Programi i tretë, sipas rating të Telemetrix, ka qenë filmi artistik në Vizion Plus, i ndjekur nga emisioni Ajsberg i Artur Çanit në News 24.
Metodologjia
Telemetrix SH.A., që operon zyrtarisht që prej muajit shtator 2012 me instalimin e matësve të parë, ofron matjen e shikueshmërisë televizive në Shqipëri, realizimi i së cilës bëhet nëpërmjet teknologjisë dhe sistemeve më të fundit të përdorura në këtë fushë, si dhe një paneli të përzgjedhur rigorozisht për të arritur përfaqësueshmërinë e tregut, sipas burimeve zyrtare nga kompania.
“Kompania ka investuar gjerësisht në krijimin dhe prodhimin e një matësi elektronik – TiViMat (koncepti i ‘peoplemeter”) si dhe në programimin e një ‘softëare’ të fuqishëm për realizimin e matjes së shikueshmërisë televizive. Skuadra e ‘Telemetrix’ ka projektuar dhe zhvilluar të gjitha platformat e monitorimit dhe raportimit të të dhënave të shikueshmërisë për përdorim të klientëve të saj
“Telemetrix” ka krijuar një panel prej 350 familjesh të përzgjedhura rigorozisht sipas kritereve të paracaktuara, të vendosura në 6 qytete kryesore të Shqipërisë; Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri dhe Berati.
Baza e të dhënave të gjeneruara nga “Telemetrix” është “në nivel minute; “Rating per Minute” në nivel familjeje (household).