Lista zyrtare e festivalit të madh europian të muzikës, “Eurovision Song Contest” 2020, është publikuar sot nga EBU – Rrjeti Europian i Transmetimit, me renditjen e 41 shteteve pjesëmarrëse, të cilat do të prezantohen në eventin që rikthehet vitin e ardhshëm.
Edicioni i 65-të i Eurovision, i cili u anulua këtë vit, do të organizohet vitin e ardhshëm në Rotterdam, Holandë, përkatësisht në datat 18, 20 dhe 22 Maj, 2021.
Udhëheqësi ekzekutiv i Eurovision, Martin Österdahl, bëri të ditur se të gjithë shtetet që do të kishin marrë pjesë në garën muzikore të vitit 2020, do të kthehen në eventin e vitit të ardhshëm. Organizatorët e Eurovision janë duke zhvilluar katër skenarë të ndryshëm mbi mënyrën e realizimit të festivalit, duke shpresuar që të përcjellin emocionet e shumëpritura për publikun prej mbi 180 milionë ndjekësish në të gjithë botën, pavarësisht kushteve të vështira dhe rrethanave sfiduese të kohës aktuale.
Shqipëria i prin renditjes në listën e shteteve pjesëmarrëse, ndërkohë që, fatkeqësisht, Kosova nuk ka mundur të sigurojë pjesëmarrjen as për këtë vit në Eurovision.