Kur dëgjon apo lexon lajme rreth pesticideve, në sfond shoqërohet me një ndjesi paniku dhe pasigurie. Mjafton që dikush të përmendi hormone dhe fruta që të krijohet një diskutim i gjerë mes qytetarëve.
AgroWeb.org rreth kësaj çështjeje arriti të siguronte disa të dhëna nga ekspertët e departamentit të agrobiznesit pranë CBS.
Sipas tyre pesticidet janë thjeshtë kimikate të cilat parandalojnë dëmtimin e bimëve nga insektet, barërat e këqija apo kërpudhat.
Fermerët i përdorin ato për të mbrojtur dhe siguruar cilësinë e prodhimit të tyre.
Ky artikull synon që të diskutojë mënyrat si keqpërdorimi i pesticideve shkakton dëme tek shëndeti i njerëzve.
Në Shqipëri rezulton se përdoret këto lloje pesticidesh nga fermerët:
– Akaracidet, të cilat mbrojnë bimët nga merimangat dëmtuese
– Fungicidet, parandalojnë rritjen e kërpudhave
– Herbicidet, luftojnë barërat e këqija
– Insekticidet, largojnë insektet e dëmshme nga bima
– Larvicidet, synon të parandalojë tërheqjen e larvave, kryesisht mushkonjat
Herbicidet, insekticidet dhe fungicidet paraqesin mbi 93% të lëndëve aktive të pesticideve të përdorura.
Pesticidet që luftojnë barërat e këqija janë në një përqindje më të lartë, 50%, të ndjekura nga insekticidet 23-35%, dhe fungicidet 11-14%.
A Janë Pesticidet e Dëmshme Për Shëndetin?
Sipas të dhënave të marra nga Universiteti Bujqësor të Tiranës, faktori që përcakton dëmin që pesticidet kanë për njeriun është sasia e përdorur e tyre.
Pra përqendrimi i kimikatit të përdorur ka një ndikim shumë të madh në organizmin e njeriut.
Gjithashtu ndikimi ndryshon në varësi të mënyrës së kontaminimit.
Dëmet që pesticidet shkaktojnë nëse përthithen përmes rrugëve të frymëmarrjes apo gëlltiten, janë më të mëdha sesa kur kontaminimi ndodh përmes lëkurës.
Ende nuk ka një studim konkret rreth afatit që dëmet e pesticideve i shkaktojnë organizmit.
Gjithsesi, Organizata Botërore e Shëndetit ka pohuar se kontakti me një sasi të madhe pesticidesh mund të ndikojë në funksionet riprodhuese të organizmit.
Krijimi i tumoreve, është një tjetër shqetësim që kjo organizatë ngre në lidhje me ekspozimin ndaj pesticideve.
Sipas të dhënave që AgroWeb.org ka siguruar nga OBSh, insekticidet janë më të dëmshme për njerëzit sesa herbicidet.
Mënyra e largimit të dëmtuesve të bimës në raport me nivelin e toksicitetit.
Si Ekspozohemi Ndaj Pesticideve?
Nëse abuzohet me përdorimin e tyre, pesticidet mund të depërtojnë tek frutat dhe perimet që fermerët prodhojnë.
Gjithashtu përdorimi në mënyrë të gabuar i tyre mund të dëmtojë dhe tokën ku janë të mbjellat.
Sigurisht që instancat përkatëse për vëzhgimin e zbatimit korrekt të përdorimit të këyre kimikateve kanë përcaktuar edhe vlerat e lejuara.
Sipas këtyre grafikëve produkteve u kryhen analizat për të kuptuar nëse pesticidet e përdorura janë në nivelet e lejuara.
Cilët Rrezikohen Më Shumë Nga Abuzimi me Pesticidet?
Fermerët sigurisht janë në rrezik më të lartë pasi janë në kontakt të vazhdueshëm me këto kimikate.
Sipas ekspertëve pranë CBS, punonjësit e fermave duhet të kryejnë kontrolle mjekësore të shpeshta, si dhe të tregojnë kujdes me dezinfektimin e mjeteve të punës.