Një grua amerikane në të njëzetat e saj, lë Çikagon për t’u shpërngulur në Paris për një mundësi më të mirë pune në një kompani marketingu. Prurja e re e Netlfix, “Emily in Paris” me Lily Collins në rol kryesor, krijuar nga Darren Star, po cilësohet si një “Sex and the City” për brezin e ri, aq më tepër që Star qëndron gjithashtu pas “Sex and the City”.
Seriali është pritur deri-diku mirë nga ata që e kanë Parisin një ëndërr të parealizuar, por s’mund të thuhet e njëjta gjë për francezët, të cilët nuk janë treguar aspak dashamirës ndaj tij.
“Bereta. Brioshë. Bageta. Kamarierë të pasjellshëm. Portierë të inatosur. Të dashuruarit dhe zogjtë. Mendoni një gjë klishe për Francën dhe francezët dhe do ta gjeni në ‘Emily in Paris’,” shkruan 20 Minutes.
“Ky serial i portretizon banorët e kryeqytetit si snobë të poshtër, të fiksuar pas çantave Birkin që ndezin një cigare sapo dalin nga palestra,” shkroi faqja MadmoiZelle.
Pasi Emily dërgohet në Paris për të punuar në kompaninë që e ka blerë punëdhënësi i saj amerikan, francezët portretizohen paksa si njerëz të poshtër, dembelë, që shkojnë gjithnjë me vonesë në punë dhe vetëm flirtojnë.
Në internet, njerëzit shkruajnë se “amerikanët mendojnë se ne shkojmë në Café de Flore çdo ditë.” Të tjerë, jo-francezë, ironizuan se “në fund të fundit, nëse do të ishte realist, do ishte një serial i mërzitshëm francez”.
“Unë jam polak dhe kam jetuar në Paris për 14 vjet. Diçka mund t’ju them: Jeni pikërisht si në serial,” tha një tjetër (via Guardian).
Ja traileri. Qu’est-ce que vous pensez?