Një ngjarje e pazakontë ka tronditur qytetin e Korçës mbrëmjen e djeshme. Një vajzë e mitur 4-vjeçare është tentuar të rrëmbehet nga një i ri, por më pas banorët e zonës kanë arritur ta shpëtojnë prej tij.
Një nga banorët, Xhoniel Qelemeni ,ka rrëfyer për mediat se ai ka shpëtuar vajzën duke ndjekur me vrap rrëmbyesin e saj.
“Ishte nëna dhe vajza kaluan këtu në rrugë. Unë isha me dy shokë, po rrija tek bordurat, pashë një tip që kaloi këtu, vajti të rrëmbente çupën. I thirrëm ne dhe ai u tremb, ne e ndoqëm me vrap, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:20. Djalin nuk e njihja, e ndoqa me vrap derisa u lodh, më ndihmuan edhe shokët, e kapëm. Në ato momente ka ndaluar policia. Nëna po thërriste, u tremb, u tromaks. Në ato momente vajza ishte e trembur. Në këtë lagje nuk kishte ndodhur më parë kjo gjë”, tregoi Qelemeni.
Në raportimet e para thuhej se një i ri i moshës 20-vjeçare, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, i ka marrë nënës vajzën me forcë dhe ka tentuar ta rrëmbejë.