Në nisje të rubrikës “Ka një mesazh për ty”, Arditi ka prezantuar dy mikeshat e Bleonës, të cilat kishin ardhur për t’i bërë një surprizë shoqes së tyre, Bleonës, e cila, pavarësisht se vazhdon studimet në degën e Gjeografisë në Tiranë, ka ëndërr gazetarinë dhe sidomos të prezantojë lajmet në një studio me Reis Çiçon. Për t’ia plotësuar këtë dëshirë Bleonës, u angazhua edhe vetë Reisi nga studio e lajmeve, por para kësaj, Arditi e pyeti nëse është e vështirë të jesh spiker lajmesh.
Moderatori i “E diela shqiptare” rrëfeu edhe një episod të tij kur i ishte dashur të jepte një ditë lajmet. Para shumë vitesh, kur ai ishte drejtor në Tv Arbëria, u njoftua në mëngjes se spikerit të lajmeve i kishte ndodhur një fatkeqësi, ndaj e kishte të pamundur të paraqitej në punë. Me këtë rast, tregon Arditi, meqenëse lajmet duhet të jepeshin patjetër, ai kishte nxituar për t’i dhënë vetë. Por pasi kishte provuar, rezultoi se ishte dështim: “Isha një dështim i turpshëm i atij momenti dhe lajmet atë ditë nuk u dhanë”, – kujton Gjebrea me të qeshur.
Por Reisi, nga studio e lajmeve, i cili e njeh mirë edhe botën e spektaklit, tha se ajo ditë ka qenë thjesht dhe vetëm një provë, sepse një showman, sipas tij, e ka mjaft të natyrshme të japë lajme, pasi u jep atyre lirshmëri, kështu që nuk mund të ndodhë për herë të dytë.
Por Arditi nuk ia dha vetes më kurrë një mundësi të dytë për të dhënë lajme.