Produkt 28, një prej grupeve më të dëgjuara dhe më të preferuara të viteve 2000, ka qenë edhe grupi i preferuar i moderatores së njohur të ekranit, Rudina Magjistari. Këtë preferencë, ajo e ka thënë edhe herë të tjera në publik, por Turi nuk e kishte dëgjuar më herët: “Të të pëlqejë Rudina është goxha vlerësim”, – thotë ai ndërsa moderatoja ia deklaron edhe një herë publikisht hapur preferencën dhe njëkohësisht keqardhjen që djemtë e talentuar nuk vazhdojnë të prodhojnë më muzikë si dikur.
Modest, Turi, nga studio e “Rudina” këtë pasdite, tha se muzika, përveç të tjerave është kimi që ose e ke, ose nuk e ke. Fabi dhe Albani, dy miqtë e tij të grupit, kanë qenë më të talentuar, ndërsa Turi kishte tekstet: “Dy çunat kanë qenë më të talentuar se unë, unë kam pasur tekstet, por muzika është kimi. Kur fillon të bëhet muzikë për hir të … nuk vlen më. Sot kanë ndryshuar kohët, atë kohë dhe atë lloj morali, unë them se e kemi bërë mjaft mirë atëherë…” – tha Turi.
Dhe meqë merrej me tekstet, ka pasur edhe një varg për Rudinën, dikur, me këngën “Miss im”. Kënga konkurrente në Këngën Magjike të vitit 2008 u pëlqye shumë në publik, ashtu si shumë këngë të tjera të djemve. Edhe për shkak të vargjeve që kishte brenda.
Gjatë kolazhit të disa këngëve të Produkt 28, u transmetua edhe vargu për Rudina Magjistarin, e cila në atë kohë ishte moderatore e programit “Të kam zemër”
“Unë njoh e misin/ Do të jetë si Fatos Nano/ Dëgjon Inva Mulën/ Adhuron dhe Celentanon/ Kontrollon si Jozefina/ E ka zemrën si Rudina/ Me buzë si Angelina/ Performon si Adelina…”
Duke sqaruar tekstin e këngës, Turi thotë se Miss-i në atë kohë ishte një kontekstin fizik shëmbëlltyra e zonjës së bukur me të gjitha tiparet dhe veçoritë e këtyre grave…
Edhe pse veten, prej vitesh e sheh larg muzikës, Turi ndiehet me fat për kohën, por edhe për njerëzit me të cilët punoi. Duke përmenduar Shpëtim Saraçin dhe Dr. Florin, Turi tha se disiplina e tyre për të bërë muzikë të mirë ishte e pakrahasueshme: “Një gjë për të cilën jam fatlum është fakti që ne kemi bërë muzikë kur ka bërë muzikë Shpëtim Saraçi, ne kemi pasur disiplinën e Shpëtim Saraçit, kemi qenë në kohën kur Pirro Çako prodhonte muzikë shumë të mirë. Ndoshta njerëzit nuk e kuptojnë, po ajo kohë ka qenë fantastike, jam shumë me fat për këtë.”