Rubrika më e re në E Diell pritet të hapi siparin këtë javë. Lunatikët, rubrika e shumëkërkuar nga njerëzit duket se është gati të bëhet pjesë e programit.
Me më shumë se 1000 pjesëmarrës në audicionet e mbajtura pak kohë më parë në zyrat e Top Channel, produksioni ka arritur të përzgjedhi të duhurit, apo më saktë Lunatikët.
Një eksperiencë dhe një sfidë e re për gazetarin e njohur Bledi Mane, i cili do të ketë përsipër autorësinë e kësaj rubrike. Një mbështetje e jashtëzakonshme për të do të jetë edhe Edi Manushi në rolin e moderatorit.
Kjo rubrikë do të konsistojë në krijimin e dy paneleve. Panele të cilat do të përfaqësohen nga mbështetës apo militant të partive, përkatësisht të asaj socialiste dhe partisë demokratike.
Këta personazhe do të luajnë rolin e opinionistëve, duke u bazuar në temat e përzgjedhura nga produksioni dhe duke mbrojtur kauzat sipas interesit të çdo partie.
Një rubrikë mjaft interesante, kjo edhe për shkak se tashmë jemi thuajse në vigjilje të zgjedhjeve të prillit, ndonëse Lunatikët planifikohet të jenë pjesë e ekranit edhe më gjatë.