Dy raste të reja me Covid-19 janë regjistruar sot në qarkun e Beratit. Njëri prej të infektuarve është banor në lagjen “Çelepias” në Berat kurse rasti tjetër është nga fshati “Guri i Bardhë” në Urë-Vajgurore. Rasti “pozitiv” me Covid-19 nga qyteti i Beratit është një burrë 61 vjeç, me inicialet M.E., i cili është transportuar mbrëmjen e djeshme me temperaturë të lartë në Tiranë, i shoqëruar edhe nga familjarët e tij.
Rasti i dytë nga Ura-Vajgurore është një 72-vjeçar me inicialet S.K., i cili mendohet të jetë infektuar në Tiranë ku kishte qëndruar disa ditë pasi kishte pasur bashkëshorten të shtruar në spital nga probleme kardiake.
Tamponët e dy personave që kanë rezultuar të infektuar me Covid-19 kanë mbërritur mëngjesin e sotëm pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik Berat. Mjekët epidemiologë janë duke bërë tashmë hetimin epidemiologjik të rasteve të kontaktit të 72-vjeçarit nga Ura-Vajgurore, ndërkohë që familjarët e rastit të Beratit janë të gjithë në Tiranë.
Sipas epidemiologëve në Berat, sot do të kryhen edhe tamponët e familjarëve dhe personave të parë të kontaktit të rastit të Urës-Vajgurore, ndërkohë që për rastin e qytetit të Beratit nuk dihen ende kontaktet e tij, pasi në banesë nuk ka asnjë prej familjarëve. Nga bashkia e Urën-Vajgurore bëhet me dije se, pasi është zyrtarizuar “pozitiv” rasti në këtë qytet, është bërë edhe dezinfektimi i banesës së familjes dhe gjithë territorit të fshatit.