Tre prej yjeve më të mëdhenj të filmave aksion në Hollywood, Dwayne “The Rock” Johnson, Ryan Reynolds dhe Gal Gadot, janë përfshirë në projektin e ri të platformës Netflix me titull, “Red Notice”.
Tema të cilën filmi e trajton është mjaft e thjeshtë. John Hartley i portretizuar nga Johnsoni, është një agjent i FBI-së me parime të mira të cilit i caktohet detyra t’i sjell para drejtësisë disa prej kriminelëve më të mëdhenj në botë. Pa e menduar dhe planifikuar, ai ndeshet me dy hajdutë rival në mes të një grabitjeje, Nolan Booth i portretizuar nga Reynolds dhe The Bishop, e portretizuar në film nga Gadot. John vendos ta bëjë një marrëveshje me Nolanin për t’i ndihmuar ta arrestojë hajduten e talentuar, The Bishop, dhe si shpërblim për ndihmën e tij, i premton Nolanit se do ta shpëtojë nga telashet me të cilat është ngatërruar.
Përveç skenave të shumta aksion, filmi përmban edhe dozë të mirë të komedisë të cilën e sjell aktori, Ryan Reynolds.
Ylli i serialit “The Umbrella Academy”, Ritu Arya dhe aktori i “Silicon Valley”, Chris Diamantopoulos, janë po ashtu pjesë e kastës së aktorëve të filmit, i cili vjen me regji dhe skenar të Rawson Marshall Thurber.
“Red Notice” e shënon premierën në Netflix më 12 nëntor të këtij viti.