Mbrëmbjen e sotme në programin e “E ardhmja është vajzë” në ABC, ishin dy artiste, talenti i së cilave është bërë i njohur në dy “talent show” të suksesshëm në Shqipëri, “Ethet e së premtes” dhe “The Voice”. Marsela Çibukaj dhe Rosela Gjylbegu, pasi kënduan këngë të njëra tjetrës treguan edhe për sukseset e tyre. Përballë moderatores dhe autores Ermira Çausholli, Marsela tregoi se ndihet krenare me veten që edhe pse fëmijë emigranti ja ka dalë të ketë sukses duke ndjekur pasionin.
“Mundohem gjithnjë të jem kritike ndaj vetes por ne vajzat, duhet të ndalemi pak e ti themi vetes: “Bravo”. Iniciativa, guximi, ambicja duhen vlerësuar. Dua ti jap vetes një çmim në këtë fundvit pasi kur shoh Marselën që vinte nga një familje modeste emigrantësh të cilët mes shumë sakrificave u munduan të na jepnin një të ardhme më të mirë mua dhe motrës, u mundova të merrja më të mirën e mundshme.
Sakrificat dhe mundimet e tyre u përpoqa ti kthej në sukses për t’jua shpërblyer. Jam munduar të besoj tek ëndrrat dhe dua ti falenderon prindërit që më lejuan të ëndërroja edhe pse ishin në gjëndje të vështirë.
U rrita në një pellg muzikantësh mes fëmijëve që kishin shumë privilegje se ishin italianë dhe jo fëmijë emigrantësh në mes të viteve ’90.”
Marsela tregoi gjithashtu se puna si kamariere në një lokal ku luhej muzikë live e ndihmoi të kuptonte dhe mësonte shumë. Ajo tregoi se gjithçka ka arritur e ka prej veshit muzikor dhe talentit sigurisht edhe kembënguljes për të ndjekur ëndrrat edhe pse ka studiuar juridik. Ajo është përpjekur tja shpërblejë prindërve edhe financiarisht të gjitha sakrificat, falë muzikës dhe dhuntisë dhe ky është vërtet sukses.