Premtimi për gruan përballë Arbana Osmanit: Të betohem që nuk do të luaj më bixhoz!
Programi “Dua të të bëj të lumtur” i moderatores Arbana Osmani, u rikthye këtë të shtunë me sezonin e tij të tretë në ekranin “Top Channel”. Historia që nisi rrugëtimin e këtij programi kishte në qendër një plagë të shoqërisë shqiptare, bixhozin.
Varësia e tij ndaj lojërave të fatit kishte nisur që prej kohës së adoleshencës, kur edhe pse vetëm një 14-vjeçar, Armandi kishte nisur të vinte në lojë të ardhurat e familjes.
Në program u rrëfye historia e tij e dashurisë me Hygertën, e cila i kishte qëndruar pranë pavarësisht vesit të tij. Por pavarësisht përpjekjeve, në një moment, Hygerta kishte vendosur të largohej prej tij. Një moment që e kishte prekur atë ishte sjellja në jetë e djalit të tyre pa praninë e Armandit.
Ai i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur” për t’i premtuar Hygertës që do të hiqte dorë nga bixhozi dhe se do të bëhej një bashkëshort më i mirë.
“Bixhozi është një ves më i keq se droga sepse ai nuk të shkatërron vetëm ty, por vret çdo person që ndodhet pranë teje. Të premtoj që nuk do të luaj më bixhoz dhe do të të qëndroj gjithmonë pranë!”, ishin këto fjalët me të cilat Armandi iu drejtua Hygertës.
Ajo rrëfeu se i kishte falur Armandos çdo gjë që ai kishte bërë, por se e kishte humbur besimin tek ai. Në fund Hygerta pranoi që do t’i qëndrojë pranë Armandit deri kur ai të mos luajë më bixhoz.
“Jeta është një dhuratë! Çdo ardhje në jetë e ka edhe një ikje”/ Emocione të forta në “Dua të të bëj të lumtur”
Një nga historitë më emocionuese këtë të shtunë në programin e Arbana Osmanit, ishte ajo e Fjoralbës, e cili zgjodhi studion e “Dua të të bëj të lumtur”, për t’i kërkuar mamasë së saj, Nexhmies që të mos hiqte dorë nga të jetuarit.
Prej vitesh familjes Dedej i mungonte një njeri shumë i rëndësishëm, djali i tyre Eduarti.
Arbana na rrëfeu historinë e Eduartit dhe na tregoi se Nexhmija kishte kaluar shumë vështirësi që ta sillte në jetë dhe që të rriste djalin e saj.
Pas shumë vitesh një aksident automobilistik i kishte marrë jetën atij.
Për të mbështetur Fjoralbën në këtë mesazh, Arbana Osmani kishte ftuar këngëtarin e dashur për shqiptarët, Sidrit Bejlerini, i cili kishte një histori të ngjashme me Nexhmijen.
Ai rrëfeu i përlotur dhimbjen që kishte përjetuar kur vajza e tij, Sofia ishte larguar nga kjo jetë.
“Edhe une kam pasur gati të njëjtën humbje si ti. Ndoshta nuk jemi në të njëjtat pozita por duhet të bëhesh e fortë të jetosh për nipërit dhe mbesat e tua. Jeta është një dhuratë dhe si e tillë duhet shijuar në çdo moment. Çdo ardhje në jetë e ka edhe një ikje!, – ishte ky mesazhi që Sidrit Bejleri dha për Nexhmijen.
Dëshira e një të moshuari për të mos qëndruar kurrë vetëm / Historia e Pajos nga Përmeti
Një ndër personazhet e natës së parë të progamit “Dua të të bëj të lumtur” ishte 76- vjeçari Pajo Mitikllari nga Përmeti.
Ai kur kishte qenë fëmijë kishte pësuar një aksident i cili e kishte detyruar që të ndërpriste shkollën dhe të ndahej nga njerëzit e tij më të dashur.
E vetmja që i kishte qëndruar pranë duke u kujdesur për të, ishte nëna e tij.
Varfëria e kishte shoqëruar gjithmonë Pajon gjatë gjithë jetës së tij dhe për t’i ardhur në ndihmë familjes ai kishte punuar bari që në moshë të vogël.
Në rininë e tij Pajo ishte munduar të krijonte familje me njeriun që dashuronte, por fatkeqësisht nuk ia kishte arritur.
Pas vdekjes së nënës së tij, i ndodhur në vështirësi ekonomike, Pajo ishte strehuar në shtëpinë e të moshuarve.
Dëshira për të mos qenë më i vetëm në jetë e kishte shtyë atë që në programin “Dua të të bëj të lumtur” të kërkonte shoqen e tij të jetës.
Moderatorja e programit, Arbana Osmani për t’a ndihmuar Pajon që të realizonte dëshirën e tij, i kishte ftuar në studio 5 zonja. Por ai kishte disa kërkesa të cilat fatkeqësisht asnjëra nga zonjat nuk i plotësonte.
“Do të jem gjithmonë pranë teje!” / Historia e Erionit që na përloti të gjithëve
Historia e dhimbshme që mbylli puntatë e parë të programit “Dua të të bëj të lumtur”, ishte ajo e Erionit, babai të cilin jeta e kishte vënë përballë një sprove tepër të vështirë.
Ndarjen nga jeta të gruas së tij shtatzanë, Majlindës.
Histora e tyre e dashurisë kishte lindur përpara disa viteve dhe ata ishin bërë prindër të një vajze të quajtur Lukrecia.
Vite më vonë, Majlinda dhe Erioni kishin mësuar se do të bëheshin prindër për herë të dytë, por fatkeqësisht kjo gjë nuk ndodhi. Majlinda humbi jetën në një aksident tragjik.
Erioni i përlotur na rrëfeu dhimbjen që vazhdojnë të përjetojnë ai dhe Lukrecia. Në studio Erioni kishte ftuar vëllain e tij, Eridjonin për ta falenderuar që i ishte gjendur pranë në këto momente të vështira të jetës së tij.
“Dua të të falenderoj për çdo gjë që ke bërë për mua dhe Lukrecian. Nuk do ia kisha dal mbanë asnjëherë pa ty!”, – Iu drejtua Erioni i përlotur Eridjonit.
Personi tjetër që Erioni kishte ftuar në studio ishte vajza e tij të cilës i tha: “Të dua dhe do të të jem gjithmonë pranë teje!”
Arbana Osmani, për t’i rikthyer buzëqeshjen dhe për ta bërë të lumtur Lukreciën, e kishte shndërruar studion si filmi i saj i preferuar, “Frozen”.
Në fund Arbana dhuroi Lukreciës një udhëtim për në ‘Disney Land’ në Paris.
Top Channel