Historia e një vajze të vogël në jetën e së cilës kanë kaluar vuajtje të mëdha ka qenë në takimin e sotëm të programit “Dua të të bëj të lumtur”, në Top Channel.
Lindur në Pejë më 17 janar të vitit 2008, Dhurata ishte fëmija e parë që erdhi në familjen Berisha, prandaj mund të imagjinohet gëzimi dhe lumturia në zemrat e prindërve të saj.
Shehrije dhe Brahim ishin të mbushur me shpresë dhe ëndrra për të ardhmen dhe lumturinë e vajzës së tyre. Por kjo ditë e ftohtë janari për këta dy prindër ishte sa e lumtur aq edhe tronditëse.
Dhurata lindi me shumë probleme shëndetësore. Ajo kishte probleme në veshka, në boshtin kurrizor, probleme me aparatin tretës dhe fatkeqësisht kishte lindur me dy vrima në zemër.
Sikur kjo të mos mjaftonte, për këtë fëmijë të vogël të pafajshëm, një tjetër problem që do të linte shenjë në jetën e saj përgjithmonë ishte edhe fakti që lindi me një këmbë 15 cm më të shkurtër se tjetra.
Ka qenë shumë e rëndë për Brahimin dhe Shehrien për të kapërcyer këtë realitet, për të pranuar gjithë problemet shëndetësore të mbledhura të gjitha bashkë te vogëlushja e tyre.
Menjëherë pas lindjes Dhurata u dërgua në qëndrën spitalore të Prishtinës, ku u krye një operacion për aparatin tretës, por që nuk ishte e vetmja ndërhyrje që ajo do të bënte. Dhurata bëri edhe tre operacione të tjera në moshën 3-vjeçare.
Në vitin 2012 Brahimi e çoi vajzën në Itali, ku ajo krey një tjetër ndërhyrje të komplikuar në shtyllën kurrizore dhe një vit më pas në Austri për ndërhyrjen e radhës. Të gjitha këto ndërhyrje, që ishin të domosdoshme për Dhuratën, kishin kosto të madhe.
Familja Berisha mbahet vetëm me ndihmën ekonomike që merr çdo muaj, prandaj ndihmë e madhe për ta kanë qenë edhe të afërmit. Sikur të gjitha këto vuajtje të mos mjaftonin, shpesh prindërve të Dhuratës iu është thënë se vajza e tyre nuk mund të shërohej, duhet të mësoheshin me idenë se ndoshta kaq ishte maksimumi që ata mund të bënin për Dhuratën e tyre.
Mjekët nuk jepnin shumë shpresa për shërim, këmba e Dhuratës nuk mund të zgjatej, por duhet të pritej. Dhe gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale doktorët e prenë këmbën e saj. Sa herë që vajza e tyre kryente një ndërhyrje, aq herë lotonte zemra e këtyre dy prindërve.
Stafi i emisionit “Dua të të bëj të lumtur” mundësoi ndërhyrjen e fundit të Dhuratës, pas të cilës mund të thuhet se ajo është praktikisht e shëruar.
Kështu, pavarësisht gjithçkaje që ka kaluar, Brahimi dhe Shehrija janë optimistë për të ardhmen e vajzës së tyre dhe ndihen të bekuar për familjen që kanë.
Ashtu siç prindërit e Dhuratës nuk rreshtën kurrë së besuari, edhe ne mund të themi atë që është pjesë e siglës së emisionit tonë “Io ci credo nei miracoli” (Unë besoj te mrekullitë).
Gjithashtu, stafi i emisionit ka rezervuar edhe një tjetër surprizë për familjen Berisha, një udhëtim familjar në një resort turistik.