Denada lindi në vitin 2005 dhe ishte fëmija i parë në familjen Tici. 2 vite më pas vjen në jetë motra e saj Rexhina dhe pas 3 vitësh vëllai Andi. Denada jetonte me familjen dhe gjyshërit. Ajo kishte gjithmonë përkujdesjen e tyre
Ditët kalonin normalisht në familjen Tici, fëmijët rriteshin dita-ditës duke pasur ngrohtësinë e nënës dhe babait të tyre. Denada ndihej një vajzë me fat sepse mami dhe babi i falnin vetëm dashuri asaj, motrës dhe vëllait.
Babai i saj kishte një motoçikletë si mjet transporti për të shkuar në punë, apo për shërbimet që duheshin për shtëpinë. Një ditë, ashtu siç do ditë tjetër, mami dhe babi dolën për të blerë disa gjëra. Mamaja e përqafoi dhe i dha një puthje Denades dhe i tha se do të shiheshin më vonë. Por, për fat të keq Denada “më vonë” nuk e pa mamanë! Nuk e pa më kurrë.
Prindërit e saj pësuan një aksident tragjik, ku babai mbeti i plagosur dhe nëna humbi jetën. Ajo ishte vetëm 6 vjeç dhe vëllai më i vogël 6 muajsh. Por 6 vjet, edhe pse duken pak janë mjaftueshëm për të kuptuar që ajo ditë do të ishte kujtimi më i keq.
Denada nuk do e harrojë kurrë kur babi erdhi në shtëpi dhe i pa me një shikim të dëshpëruar, me shikimin e një babai që duhet t’u thotë fëmijëve të tij gjënë më të keqe në botë. Ai e dinte sesa të vështirë do e kishte të gjente fjalët e duhura për t’u shpjeguar të vegjëlve të tij se çfarë kishte ndodhur.
Fëmijët vetëm qanin kur u tha se mami i tyre kishte ikur në qiell dhe se nuk do ta shikonin më.
Jeta vazhdonte dhe siç thonë koha është ilaçi më i mirë për të shëruar plagët, por ai boshllëk, mungesa e nënës, nuk mund të mbushej edhe pse babai bënte gjithçka për t’u lehtësuar trishtimin, për t’u dhënë gjithçka që mund t’u jepte.
Thuhet se një gjyshe për nipin apo mbesën është nënë dy herë dhe kjo shprehje nuk ka qenë asnjëhere më shumë e vërtetë sesa për fëmijët Tici. Myzafete, gjyshja nga ana e babait, e cila jeton në shtëpi me ta, që nga ajo ditë u bë një person shumë i veçantë për nipin dhe mbesat e saj. Ajo u bë si një nënë e dytë duke u dhuruar gjithë dashurinë për të cilën një fëmijë i vogël ka nevojë.
Ajo është gjithmonë e pranishme për këta fëmijë, duke mos i braktisur asnjëherë. Prej 5 vitesh, gjyshja zgjohet çdo mëngjes shpejt dhe ashtu si një nënë e vërtetë përgatit fëmijët për në shkollë, u përgatit mëngjesin, bën gati gjërat e tyre dhe u jep gjithmonë një puthje para se të ikin, njësoj si nëna e tyre.
Sot Denada është 11 vjeç , babai i saj ka ndërtuar një jetë të re dhe ajo ka fatin të ketë një motër të vogël, 1 vjeç e gjysmë, e cila mbushi me ngrohtësi jetën e kësaj familjeje, që sot është një familje e qetë, edhe pse kujtimi i nënës do të mbetet gjithmonë i gjallë dhe i fortë në secilin prej fëmijëve.
Por Denada, edhe pse një vajzë e vogël e kupton sesa shumë ka bërë gjyshja e saj për të. Duart e saj të rrudhura kanë punuar çdo ditë për këta tre fëmijë që mbushnin zemrën e saj vetëm me gëzim. Prandaj Denada do t’i dhurojë një moment lumturie. Ajo na shkruajti dhe na kërkoi ta ndihmojmë që të bëjë sadopak të lumtur gjyshen e saj dhe t’i tregojë sa shumë e do.
Për t’i shkëputur nga rutina e përditshme, stafi i emisionit “Dua të të bëj të lumtur” i ka organizuar të moshuarve pushime në një nga hotelet më luksoze të qytetit të Durrësit.