Drini Zeqo, i cili u bë i pari personazh që hapi dyert e “Big Brother Vip” dhe gjithashtu i pari që u largua nga loja, ka rrëfyer së fundmi arsyen e tij për të lënë garën e madhe. Vendimi i tij për të dalë nga shtëpia më e famshme në Shqipëri erdhi si një surprizë për publikun, por tani Zeqo ka zbuluar motivet e tij.
Gjatë një interviste në programin “Fan Club”, Drini ka treguar se motra e tij përballet me probleme të shëndetit mendor dhe se gjendja e saj e fundit e ka bërë të domosdoshme praninë e tij pranë saj. Kjo situatë familjare e vështirë ishte arsyeja kryesore që e shtyu Zeqon të braktisë garën për çmimin e madh.
Megjithatë, në të njëjtën intervistë, Drini nuk përjashtoi mundësinë e një rikthimi në “reality show”-n e famshëm. “Nuk i dihet asnjëherë. Unë them vetëm se nuk i dihet jetës dhe Vëllai i Madh ka forma të mistershme si i lëviz duart. Në një javë kanë ndodhur kaq shumë gjëra sa nuk është çudi që në 3 muaj apo më shumë të ndodhin çudira të tjera,” tha Zeqo, duke lënë të hapur mundësinë për një surprizë të mundshme.
Ina Kollçaku, një nga opinionistet e programit, shprehu keqardhjen e saj që një personazh me vlera si Drini ndodhet jashtë shtëpisë. Për këtë, Drini iu përgjigj në mënyrë të shkurtër dhe të koduar: “Prit një herë se mos futem prapë.” Këto komente të Drinit rritin kuriozitetin dhe pritshmërinë në mesin e ndjekësve të “Big Brother Vip”, duke u bërë burim spekulimesh dhe pritjesh për zhvillimet e ardhshme të lojës.