Dragon Ball Super: Seriali i ri do të tregojë se çfarë ka ndodhur pas luftës midis Goku dhe Majin Buu.
Dragon Ball rikthehet me një serial të ri: tetëmbëdhjetë vjet pas episodit të fundit të Dragon Ball GT, Toei Animation, studio japoneze e animacionit që prodhon nga fillimet serialin televiziv të bazuar në manga-n e Akira Toriyama, ka lajmëruar se seriali i animuar, që nisi për herë të parë në vitin 1986 dhe u transmetua deri në 19 nëntor 1997 do të kthehet përsëri në korrik në Fuji TV me episode të reja me një kapitull të ri, të titulluar Dragon Ball Super.
Seriali i ri do të jetë i ambientuar pak vite pas disfatës së Majin Buu dhe do të tregojë se si Goku përpiqet për të mbajtur paqen në Tokë kur i duhet të përballet me një armik edhe më të fortë. Producenti Osamu Nozaki është shprehur mjaft entuziast për skenarin që ka marrë nga autori Akira Toriyama, i cili këtë herë ka shkruar historinë ekskluzivisht për projektin e animuar televiziv. Kimitoshi Chioka do të jetë regjisori i serialit, që do të prodhohet, përveçse nga Nozaki, edhe nga Naoko Sagawa dhe Atsushi Kido.
E ndërkohë që presin shfaqjen e episodeve të reja, fansat e çmendur të Dragon Ball kanë mundësine të shohin në kinema filmin Dragon Ball Z: Resurrection F, që ka dalë në kinematë japoneze në 18 Prill 2015 dhe në shtatëdhjetë e katër vende të botës.