Në më pak se dy vite, Don Xhon ka arritur të bëhet një nga emrat më në zë të repit shqiptar. Së fundmi, ai ka dhënë një intervistë për një radio gjermane me bazë në Berlin.
Ai ka folur në anglisht sa i përket vitit të “çmendur” të karrierës së tij. Por, paraprakisht, i vetëdijshëm për anglishten jo perfekte, ai me humor i ka kërkuar ndjekësve që të mos e tallin për gjuhën, ndonëse arriti të bashkëbisedojë me moderatorin radiofonik gjerman.
Mes tjerash, në intervistë reperi falënderoi Zotin për suksesin. Gjithashtu, ai foli për bashkëpunimin e fundit me Loredanën. Për këtë të fundit, Doni ka folur me shumë superlativa.
E dua mendësinë e saj, punën, bën muzikë të çmendur. Ishte nder që ajo bëri muzikë me mua. Nuk bëj shumë bashkëpunime. Bëj vetëm me ata që i shoh se mund të punoj me ta. Loredana është boss, gangsta.
Reperi po ashtu konfirmoi bashkëpunimin me Butrint Imerin për këngën që del këtë muaj.
Mes gjithë këtyre, askush nuk e kishte mendjen tek anglishtja në fakt, megjithatë do të donim të kishim më shumë personazhe të tillë, që i marrin gjërat me sportivitet, dhe janë kaq të sinqertë…