Para pak ditësh Dojna Mema humbi një nga personat më të shtrenjtë, babain e saj. Moderatorja e ndau lajmin me fansat dhe dashamirësit e saj përmes rrjeteve sociale, me një dedikim të trishtë që i preku të gjithë. Ajo postoi një video me momentet më të bukura me të atin dhe përkrah saj shkruajti: “Nuk le asnjë sekondë pa jetuar plotësisht. Ndoshta prandaj ike aq shpejt, e pive jetën me një kupë! Për ata që njohën Bujarin e Interpolit, ky është babi i familjes. P.s: Ti e di, gjithmonë bashkë, gjithmonë një shpirt për katër!”.
Pavarësisht se dhimbja për të është shumë e fortë, ditën e sotme Dojna kishte vendosur të shfaqej sërish në ekran si çdo të shtunë për emisionin “Pop Culture”. Por ndryshe nga çdo herë tjetër kur emisionin e nis me plot energji, Dojna e nisi me një dedikim shumë emocionues për babain e ndjerë. Me zërin duke ju dridhur ajo tregoi se në çdo moment ka pasur mbështetjen e “Top Channel”, por vendosi për të vazhduar punën për t’u bërë e fortë e ecur përpara, ashtu siç do të donte i ati. “Shumë prej jush e dinë që kjo e shtunë është pak e komplikuar për mua, por këmbngula personalisht të isha në ekran, pavarësisht mbështetjes së pakushtëzuar të familjes sime të dytë ‘Top Channel’, të cilët më dhanë gjithë kohën e botës për të rinisur. Por sot unë do të doja të isha pranë jush. Të martën e kaluar humba tim atë. Nuk je asnjëherë gati për t’i thënë lamtumirë një pjese të vetes tënde, megjithatë unë jam shumë e bindur që me buzëqeshje ai do të më thoshte ‘të dua të fortë bab, ti nuk thyhesh përpara asgjëje’. Sot në ‘Pop Culture’ jam për të, sot dhe në vazhdim do të bëj gjithçka me një shtysë më shumë”, është shprehur Dojna. Më pas ajo ka luajtur një piano “Naval” nga Yann Tiersen si dedikim për babain e saj, i cili kishte dashur gjithmonë që Dojna të bëhej pianiste, duke qenë se për 13 vite ka studiuar për këtë gjë. /revistawho.com