Aktori i njohur i humorit, Elvis Pupa ka konfirmuar lajmet se ai do të bëhet pjesë e Big Brother VIP Albania 2.
Përmes një videoje në Instagram nga Australia, Elvisi shprehet se po hyn në shtëpinë e famshme vetëm për të sjellë pozitivitet me humorin e tij e jo për të fituar apo për të bërë sherre.
Ai i bën thirrje publikut të vazhdojë të votojë të preferuarin e tyre sepse vetë Elvisit nuk i intereson fitorja, por t’ja kalojë sa më mirë brenda shtëpisë ku pritet të sjellë humor e batuta të shumta.
“Unë do futem brenda të jap më të mirën time, të mbush situata me humor, gaz dhe hare pa fund, gjithashtu që ju të njihni Visin e vërtetë. Por, ju siguroj diçka: Unë aty brenda nuk po futem që të sulmoj ndonjë banor apo të jem pjesë e një grupi. Ata që më njohin e dinë shumë mirë që unë jam shok shumë i mirë me atë që përdor arsyen dhe logjikën”, është shprehur aktori.
Aktori i humorit shtoi: “Megjithëse ky spektakël ka filluar që në dhjetor dhe e di që secili prej jush e ka zgjedhur personazhin e preferuar për të cilin bën tifo, unë ju inkurajoj dhe ju them që vazhdoni rrini, mbani, votoni, bëni tifozllik për personazhin që keni qejf, mos u merrni fare me mua. Unë jam aty vetëm për qejf dhe fitues për mua nuk është vetëm një individ apo kush e çon lojën deri në fund”, tha Pupa, duke theksuar se fitues janë të gjithë ata që mësojnë të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin.
Aktori nuk ka zbuluar më shumë detaje rreth hyrjes së tij, prandaj nuk dihet dita kur do të hyjë Pupa, por sot BBV ka natën Prime dhe mund të pritet edhe hyrja e tij.