E nderuar znj. Milena Harito, jam një teknik me shumë eksperiencë në fushën televizive dhe më lejoni të them dy-tre fjalë mbi historinë, tashmë qesharake, të dixhitalizimit të TVSH. Më lejoni të ofroj eksperiencën që kam, sepse duke lexuar deklaratat tuaja e kuptoj që kompetenca juaj, të paktën në këtë fushë, nuk duket shumë e kualifikuar.
Fillojmë nga fillimi.
Një tender me polemika, diskutime të pafundme, afate ndërkombëtare, etj. Po kush është e vërteta, që lidhet ngushtësisht me këtë tender, strategjinë e dixhitalizimit, frekuencat për përdorimin televiziv, AMA-n, Ministrinë e Inovacionit dhe Administratës Publike, privatët dhe të gjithë subjektet e interesuara?
Në vazhdimësi, për të sqaruar opinionin e gjerë dhe taksapaguesit shqiptarë po renditim faktet e pakundërshtueshme teknike për tenderin e shumëpërfolur të TVSH.
Si çdo gjë që lindte sëprapthi në këtë vend, në kohën kur vendi udhëhiqej nga Z.Berisha, Ministria e Inovacionit, në atë kohë nën drejtimin e Z.Genc Pollo, udhëhoqi një proces pune, me anën e një Sekretariati Teknik për hartimin e dokumentit të strategjisë së kalimit në teknologjinë e re të transmetimit dixhital të televizionit publik dhe atyre privatë, dokument, i cili u përmbyll në atë kohë qeverisjeje.
Metodologjia e përjashtimit bëri që në procesin e hartimit të dokumentit të mos merrte pjesë asnjë grup interesi, apo ekspertizë kombëtare ose ndërkombëtare për çështjet teknike dhe të planifikimit të frekuencave.
Në të njejtën kohë, AMA e atëhershme përcaktoi parametrat teknike të pajisjeve transmetuese dhe rrjeteve në përgjithësi, duke ndjekur një proces me institucionin e ITU-së, duke i regjistruar këto të dhëna në regjistrin ndërkombëtar të frekuencave, kuptohet në standardin DVB-T, ashtu siç ishte dhe marrëveshja e Gjenevës.
Pas përfundimit të këtyre proceseve, po ministria e Z.Pollo fillon një proces tenderimi për projektin e dixhitalizimit të TVSH-së. Dokumentat standarde të tenderit (DST) për specifikimet teknike janë të pabazuara në një projekt të vërtetë teknik dhe është e turpshme për vendin që të mos mundet të përgatitë një projekt bashkëkohor për implementimin e rrjeteve dixhitale tokësore.
Zonja ministre
Nuk do të hyjmë në detaje për shumë e shumë parregullsi e afera të përfolura e të dokumentuara, por do të ndalemi vetëm në një aspekt: atë të akordimit të frekuencave për TVSH-në dhe respektimit të parametrave teknikë të transmetuesve (fuqitë e pajisjeve). Tenderi i z.Pollo, pa iu referuar një projekti, përcakton pikat e transmetimit me fuqi 1.000 ëatt r.m.s, kur AMA vetë kishte përcaktuar fuqi shumë herë më të vogla. Nje pasaktësi “teknike” shumë e rëndë. Në qoftë se do të përdorej ½ e fuqisë së këtyre pajisjeve transmetuese, jo vetëm që do të kursehej rreth 30 mijë euro investim për çdo pajisje (në total një shpenzim i panevojshëm prej rreth 2 milionë eurosh), por, për më tepër, konsumi i energjisë elektrike për këto fuqi të panevojshme, që do të na çojnë në konflikt interferencash me vendet fqinje, ka edhe një shpenzim vjetor prej 500 mijë eurosh.
Në shumë nga këto 44 pika transmetimi, sipas tender, (ku ka edhe nga ato që nuk gjenden në hartë), nuk ka infrastrukturë, si rrugë, kulla, godina, energji etj. Që do të thotë së kostos së rrjetit (pajisjet transmetuese) i shtohet edhe ndërtimi fizik i pikave transmetuese me punimet civile të nevojshme, blerjen ose qiranë e tokës, investimin e rrugës, energjisë elektrike etj etj që mund të shkoj rreth 5 miliona euro të tjera. Do të ishte shumë më lehtë, më thjesht dhe pa kosto, pra më ekonomike bazuar në rrjetet ekzistuese, mbase duke bashkëpunuar edhe mes operatorëve mobile.
Zonja ministre
Rrjetet kombëtare të akorduara nga GE06, nga 7 sot mbeten në: 2 rrjete kombëtare TVSH dhe 3 rrjete kombëtare për privatet. Por, për çudi, një nga këto rrjete kombëtare, akorduar për TVSH-në, ju keni vendosur që të përdoret për mbulimet e televizioneve lokale. Por operatorët privatë kanë infrastrukturat e tyre transmetuese dhe është absurditet (me kosto 12.5 milionë euro) të bësh një investim hipotetik, se mbase këta operatorë do të mbështeten tek platforma e RTSH-së dhe mbase JO. Pse këta operatore privat me kosto të reduktuar mund të organizohen lokalisht, me transmetuesit të tyre bazuar në multipleksin lokal të akorduar për ta.
Zonja ministre
A e ka Shqipëria luksin të shpenzojë 12.5 milionë euro për investimin e një rrjeti, që ndoshta nuk do të vihet kurrë në përdorim?!
Me fillimin e punës së qeverisë së re, ministria juaj ngriti si preokupim parësor projektin e dixhitalizimit, pavarësisht se sot nuk është konkluduar asgjë. Grupet e punës me ekspertë të njohur vendas u fokusuan në përgatitjen e database-s së nevojshme për të kryer studimin, me prioritet rritjen e numrit të multiplekseve kombëtare, nisur nga pamjaftueshmëria e plotësimit të kërkesave të shumta nga operatorët vendas.
Për këtë studim u angazhua një kompani e huaj, e cila, në fund të shtatorit 2014, paraqiti studimin, më pas miratuar dhe nga ITU. U prit gati një vit e gjysëm për këtë studim dhe 6 muaj po bëhen që mbahen në sirtar. Ndërkohë, jemi përqendruar tek tenderi i TVSH-së, sikur kjo do të jetë zgjidhja përfundimtare e dixhitalizimit të Shqipërisë.
Tenderi në fjalë, me vlerën e 23 milionë eurove, ka dy vite që përflitet. Ndërkohë, teknologjjia zhvillohet dhe çmimet e pajisjeve ulen, që do të thotë se, edhe sikur të bëhen 2 rrjete kombëtare, kostoja e këtij investimi me po ato kualitete të pajisjeve të transmetimit të kompanisë fituese dhe me pajisje të tjera më cilesore se ato te ofruara nga firma, nuk kushton më tepër se 12 milionë euro.
Zonja Harito
Mendoj se me argumentat e mësipërme, ju inkurajoj që të reflektoni për të gjetur një rrugë tjetër për t’u kursyer taksapaguesve shqiptarë dhe arkës së shtetit mbi 15 milionë euro. Dhe një konsideratë të fundit: Ju keni garantuar se afati i 17 qershorit 2015 do të respektohet. Domethënë keni garantuar opinion publik që duke paguar 25 milionë euro, brenda 4 muajve, 2 rrjetet e RTSH do ndërtohen. Ose dikush ju gënjen, ose ju nuk e dini: Për të ndërtuar një rrjet të tillë duhen jo më pak se dy vjet zonja minister.
(Autori është një teknicien i fushës së teknologjisë së informacionit)
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 shkurt 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)