Për të parë mediat publike, të gjithë shqiptarët duhet të pajisen me dekoder MP4, pasi të përfundojë procesi i dixhitalizimit. Kjo strategji parashikon që nga sistemi analog që përdoret në Shqipëri të kalohet në MP4, ku çdo familje shqiptare duhet të blejë një dekoder.
Pavarësisht se strategjia ende nuk ka përfunduar, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përfitimin e dekoderave falas për familjet që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike.
“Ngarkimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për kryerjen e procedurave të prokurimit për pajisjen me dekodera të familjeve në nevojë, përfituese nga skema e ndihmës ekonomike.
Fondi prej 170 000 000 lekësh, që do të përdoret për kryerjen e procedurave të prokurimit për vitin2015, të shtohet në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, miratuar për vitin 2015. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
Pjesa tjetër e fondeve, prej 180 000 000 lekësh të përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2016. Ngarkohet Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për planifikimin e fondit të nevojshëm në buxhetin e saj për vitin 2016.
Ngarkohet Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, të realizojë shpërndarjen e dekoderave te familjet përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, sipas udhëzimit të ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e qeverisjes vendore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi”, – thuhet në vendimin e qeverisë që tashmë është publikuar dhe ne Fletoren Zyrtare.
Shqiptarja.com