Bashkimi Europian pret që vitin e ardhshëm Autoriteti i Medias Audizovizive(AMA) dhe Këshilli Drejtues i Radiotelevizionit Shqiptar të përmbushin detyrimet që iu takojnë në procesin e dixhitalizimit.
Më 24-26 nëntor u mbajt në Bruksel takimi i VI-të i Nënkomitetit për Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikat Sociale, BE-Shqipëri. Ky takim dyditor përfshinte raportimin e palës shqiptare për bashkëpunimin në fushën audiovizive nga institucioni i Kuvendit të Shqipërisë, AMA-s dhe RTSH-së.
Gjatë diskutimeve dhe pyetjeve të drejtuara nga Nënkomiteti, u ngritën çështjet shqetësuese të procesit të dixhitalizimit, afatet tejet të ngushta dhe shqetësimi për riskun serioz të mospërmbushjes së afatit të kalimit në transmetimet numerike deri më 17 qershor 2015.
Nënkomiteti shprehu shqetësimin se Shqipëria mund të humbë afatin e dixhitalizimit për shkak të vonesave në zgjedhjen e anëtarëve të AMA-s nga Kuvendi.
Përfaqësuesi i AMA-s shpjegoi situatën aktuale të rifillimit të punës së këtij bordi, tashmë i plotësuar me 5 nga 6 anëtarë gjithsej, plus kryetarin e ri të tij, si dh nevojën për nxjerrjen e akteve të tjera administrative, rishikimin e rregulloreve të miratuara më parë dhe kontratën fituese për tenderin e zhvilluar për dixhitalizimin e RTSH-së.
Gjatë këtij takimi përfaqësuesi i parlamentit shqiptar sqaroi se zhvillimet e procedurave të përjashtimit dhe selektimit te kandidatëve për çdo rast në AMA janë kryer në mënyrë transparente dhe të plotë ligjore.
Ndërsa lidhur me dekriminalizimin e fyerjes dhe shpifjes, Nënkomiteti nënvizoi faktin se duhet të shkohet drejt standardeve europiane me heqjen e gjobës për të dy këto fenomene me qëllim përafrimin e plotë me legjislacionin e BE.
Marrë nga “ATSH”