Pas lajmit për hapjen e plazheve, bizneset e qytetarët kanë në dorë protokollin e masave që duhet të zbatojnë për një sezon të sigurt.
Në Fletoren Zyrtare është zbardhur urdhri i përbashkët i Ministrisë së Turizmit e Shëndetësisë, që duhet pasur parasysh përpara se të bëhen gati valixhet për pushime.
Çdo qytetari, përpara se të hyjë në zonën e plazhit, do t’i matet temperatura dhe do të plotësojë një formular për t’u njohur me historikun e udhëtimeve dhe sëmundjeve për të pasur mundësi më tej për t’u ulur në shezlonge që janë jo më afër se 3.5 metra nga njëri-tjetri.
Distanca duhet respektuar jo vetëm në rërë, por edhe në det. Përveç prindit që kujdeset për fëmijët, të gjithë duhet të qëndrojnë jo më afër se 3 metra nga tjetri.
‘Shkuma party’ apo ‘bar beach’ mbeten histori të së shkuarës. Asnjëra prej tyre, sikundër çdo grumbullimi tjetër në hapësirat e plazheve, si bufetë e hapura, nuk do të lejohen. Në tavolinë nuk do të lejohen më shumë se katër persona.
Protokoll masash të veçanta ka edhe për hotelet apo strukturat akomoduese. Maska, doreza të disponueshme dhe dezinfektues sipërfaqësor, duhet të jenë në dispozicion për vizitorët kundrejt një marrëveshjeje paraprake mes sipërmarrjes dhe pushuesve/vizitorëve.
Struktura akomoduese duhet të vendosë në holle, korridore dhe ambiente të jashtme kosha të pajisur me qese plastike, për të hedhur mbetjet e mjeteve mbrojtëse higjienike. Rekomandohet të fillohet me ajrosjen natyrale të dhomës, duke hapur dritaret nëse ka. Çdo sipërmarrje turistike që lejohet të ushtrojë aktivitetin, rekomandohet të adaptojë këtë protokoll dhe të afishojë masat respektive në vende qartësisht të dukshme dhe pranë korridoreve të kalimit të njerëzve, mbështetur me materiale të ndryshme promovuese dhe informuese. Në protokollin e sigurisë sqarohet edhe mënyra e administrimit të ushqimeve dhe pijeve, ku theksohet ndër të tjera se duhet kryer larja e duarve shpesh dhe sipas kërkesës.
“Personeli duhet të jetë me maskë dhe doreza kur përgatisni ose përdorni ushqimin. Ndalohet përgatitja ose prekja e ushqimeve, prekja e sipërfaqeve në kontakt me ushqimin pa pasur doreza, si dhe ndalohet shijimi i ushqimit me gishta.
Nuk dihet nëse të gjitha këto kushte shtesë për strukturat që operojnë në plazhe do të rrisin koston e shërbimit për pushuesit. Një gjë është e sigurt. Të gjitha këto do ta vështirësojnë sezonin veror për të rinjtë shqiptarë, të cilët, kur vjen puna te pushimet dhe argëtimi, nuk kursehen.