Disney i ka besuar aktores kineze Liu Yifen rolin e Mulan, në filmin që kompania do të publikojë në vitin 2019. Përshtatja e filmit të animuar të vitit 1998, do të tregojë historinë e heroinës së famshme kineze Hua Mulan, e cila maskohet si burrë për të luftuar në ushtri dhe për të shpëtuar babanë e saj të moshuar nga rekrutimi.
Lajmi për përzgjedhjen e Liu Yifen në rolin kryesor të filmit është pritur me entuziasëm në mbarë rrjetet sociale, në një kohë kur Hollivudi akuzohet për fenomenin e ashtuquajtur “whitewashing”, përzgjedhja e aktorëve të bardhë në role aziatike. Filmat më të fundit të akuzuar lidhur me këtë fenomen përfshijnë rikrijimin hollivudian të animimit japonez “Ghost in the Shell”, ku Scarlett Johansson interpretoi rolin kryesor, apo filmin epik kinez “The Great Wall”, ku kasti u udhëhoq nga aktori amerikan Matt Damon.
Mijëra persona morën pjesë në një fushatë online që roli i Mulan t’i jepej një aktoreje kineze dhe fakti që kjo kërkesë u përmbush, është një hap i madh për promovimin e më shumë kulturave në filmat e Hollivudit.
Liu Yifen, e njohur në Kinë si “Zana” për shkak të pamjes së saj delikate dhe roleve në filma fantazi, është një aktore, modele dhe këngëtare tepër e famshme në Kinë. 30-vjeçarja thuhet se zotëron në mënyrë perfekte gjuhën angleze, pasi është rritur në Nju Jork. Liu është përzgjedhur nga rreth 1.000 kandidate për të interpretuar rolin e Mulan.
/Ora News.tv/