Prej kur ka rënë tërmeti i 26 nëntorit, u bë një vit.”
Familja e Bilbil Tarjes, është vetëm një nga 1324 familje në Kurbin, Krujë e Durrës që do të kalojnë në çadër dimrin e dytë pas tërmetit të 26 nëntorit.
Reshjet e shiut të ditëve të fundit, kanë dhënë sinjalet se ditë të vështira e presin familjen me 5 anëtarë.
“Duhet me u mbulu me batanije dhe jorgan. Në këtë çadër flemë, hamë, rrimë.”
I vështirë dimri ka nisur edhe për Sherife e Sejat Fezga nga Xhafzotaj i Durrësit.
“Situata është shumë e vështirë.Ftohtë është.”
Prej nëntorit të kaluar ata jetojnë në çadrën e ngritur pranë shtëpisë së rrënuar, por që fatin e saj ende nuk e dinë.
“Jemi dy pensionistë, u bë një vit. Një dimër e kaluam, po vjen dimri tjetër. Janari është i ftohtë”.
Fillimisht shtëpia u shpall e pabanueshme, por vlerësimi thonë ndryshoi dhe e klasifikuan mes objekteve që mund të riparohen.
“Kërkojmë të na bëhet shtëpia, të futemi brenda, asgjë më shumë.”
Bazuar mbi dëmet që ka pësuar shtëpia, ata kërkuan rivlerësim nga Instituti i Ndërtimit për të cilin janë ende në pritje.
“Ne presim të vijë një Komision nga Instituti i Ndërtimit dhe ta verifikojë. Si fillim Komisioni e nxori të pabanueshme.”
Thonë se që pas ditëve të para të tërmetit, ndihma nga bashkia e Durrësit u ka munguar, ndërsa burokracitë e institucioneve i lanë edhe këtë dimër pa çati.
“Jam ankuar në bashki dhe kanë thënë do të rregullohet.Më thanë ke kaq para, i thashë nuk i dua, hajde dhe bëje vetë me këto para, po të dolën jam në rregull.”
13 356 familje që kanë humbur shtëpitë janë ende me qira që u paguhet nga shteti.