“Rikthimi i Dallëndysheve”, kështu titullohet reality show më i ri në formën e një cikli dokumentarësh në platformën Digitalb.
Duke filluar nga 1 Marsi në orën 20.00 në T-HD, Digitalb do të sjelli një program të rrallë për ekranin shqiptar, por edhe një investim kolosal që as shteti shqiptar (për fat të keq) nuk e ka bërë. Nën prodhimin e Genc Gjinecit, emisioni do të prezantojë për shikuesit “dallëndyshet” që përfaqësojnë shqipërinë në botë, duke marrë trofe dhe çmime, por që askush nga shqiptarët nuk i njeh dhe i promovon. Çdo ditë shikuesit do të kenë mundësinë të njohin 6 primo-balerinët shqiptarë në teatrot më të famshëm të Europës, kur secilit prej tyre do i dedikohet një episod special në të cilin do të prezantohet jeta dhe karriera e tyre.
Duke folur për IMAlbania.com, Genc Gjineci, Drejtor i Promocionit & Postproduksionit ne DigitAlb njëherazi regjisor dhe bashkëproducent me Ilda Bejlerin thotë: “Digitalb mori nismën e veçantë që s’e kishte bërë as vetë shteti shqiptar deri më tani. Duke shkuar dhe ndjekur jetën e secilit prej artistëve çdo ditë, që kur zgjohen dhe derisa shkojnë sërish në shtrat.“-shprehet ai duke vazhduar,“Për t’u kujtuar per ta që janë shqiptarë dhe na nderojnë “heshturazi” dhe kur fitojnë ndonjë çmim. Si rasti i Ermal Metës në Sanremo. Duket sikuar ua “vjedhim” suksesin që kanë arritur pa asnjë mbështetje nga ana jonë. Përkundrazi, duke i bërë bashkë me dëshirën dhe përmallimin e tyre ndaj vendit për më tepër, që të vijnë e të performojnë së bashku me partneret e tyre të huaja më 13 Mars”, përfundon Gjineci duke na zbuluar më tepër detaje për spektaklin.
“Rikthimi i Dallëndysheve” do të finalizohet si një event më 13 Mars që do të mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Prodhimi vjen nën bashkëpunimin e Bashkisë së Tiranës./IMAlbania.com/