Digitalb së fundmi ka komunikuar se 2 operatorë të shoqërisë “Setplex” përkatësisht IPTV e njohura “TV Alb” dhe “Nimi TV” nuk janë më operatorë të autorizuar për të transmetuar kanalet e platformës duke filluar që nga 1 Janari 2020. “TV Alb” dhe “Nimi TV” janë të njejtat IPTV që operojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë.
Ndërsa për disa vite operuan si piratë, kompania arriti që të siguronte një kontratë me Digitalb ku sipas burimeve të IMA, nuk i zbatuan pikat e kontratës veçanërisht për kanalet e sportit SuperSport, për transmetimin e të cilave nuk kishte asnjë kontratë dhe pse i shiste si produkte. Në datën 3 Janar, kompania më e madhe e transmetimeve digjitale njoftoi publikun për shkëputjen e kontratës dhe në faqen zyrtare në internet.
Kjo ishte dhe një ndër arsyet kryesore pse Digitalb vendosi që të ndërpresë kontratën pavarësisht se kompania ende vazhdon të shesi programe të kësaj platforme dhe në faqet e tyre zyrtare.
Ndjekës të InfoMedia Albania kanë dërguar gjithashtu dhe faksimile të bisedave me operatorët e shërbimit për klientit për NIMI TV dhe TV Alb, ku ndërsa pyesin për të rinovuar apo për të blerë një paketë televizive e cila mundëson dhe kanalet e DGA, operatorët pretendojnë se e kanë ende të drejtën e autorizimit të dhënies së këtij shërbimi. Siç shihet dhe në fotot e dërguara më poshtë në redaksi, shoqëria SetPlex pretendon se njoftimi i dhënë nga Digitalb në website zyrtar është thjesht një “taktikë” pasi sipas tyre platforma do të rrisi çmimet e shërbimit dhe këta të fundit duan t’ua shesin me çmimin fillestar të gjithë klientëve të interesuar.
Sa më sipër, nga ana teknologjike, duke qënë se Digitalb ka prerë dhe shërbimin e dhënies së sinjalit për serverat e SetPlex, rezulton që kjo kompani e merr sinjalin e Digitalb në mënyrë pirate duke hyrë tashmë nga një kompani IPTV e licensuar në një kompani pirate.
Aktualisht shoqëria SetPlex vazhdon të promovojë në reklama digjitale por dhe televizive në televizione kombëtare në kundërshtim të plotë me legjislacionin, madje dhe ku personazhe të ndryshëm publik siç është dhe Ermal Mamaqi promovojnë një produkt që nuk është i ligjshëm.
Lidhur me aksionet që kompania Digitalb do të marrë në vazhdim për këtë piratim të programeve, do të informoheni në ditët në vazhdim./IMA/