Policia bën me dije se është identifikuar efektivi, që shfaqej në videon e publikuar dje duke dhunuar një djalë të ri.
Punonjësi i policisë me inicialet G.N., që shërbente pranë Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2 është pezulluar nga detyra.
Pas analizimit dhe grumbullimit të të gjitha të provave, në fund do të jepet edhe masa e dënimit për efektivin, sipas shkallës së shkeljes.
Ndërkohë edhe dy të rinjtë që shfaqen në video janë ndëshkuar me masë administrative nga policia, pasi u konstatuan se kishin thyer orarin e ndalim-qarkullimit dhe kishin dalë për shëtitje me biçikletë.
Njoftimi i policisë:
Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet punonjës policie, i cili ka kryer shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe DVP Tiranë, pas verifikimeve të kryera dhe hetimit të bërë, pezulloi nga detyra punonjësin e Policisë G.N, pranë Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2.
Drejtoria e Standardeve Profesionale do të grumbullojë dhe analizoje të gjitha provat dhe në fund te hetimit do jepet masa sipas shkallës së shkeljes.
Gjithashtu, Policia e Shtetit ka ndëshkuar me mase administrative sipas Aktit Normativ, 2 te rinjtë qe u konstatuan se kishin thyer orarin e ndalim-qarkullimit dhe kishin dale për shëtitje me biçiklete, ne shkelje te masave për parandalimin e pandemisë COVID-19.
Policia e Shtetit dënon ashpër veprime të tilla që cenojnë imazhin e Policisë tek qytetarët dhe fton cilindo që të denoncojë çdo rast të cenimit të figurës së punonjësve të Policisë apo të abuzimit me detyrën, duke u garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.