Këshilli Drejtues i RTSH-së vendosi të shtyjë votimin e kandidaturave për Drejtorin e Përgjithshëm të këtij institucioni, pasi asnjë prej dy kandidatëve, Petrit Malaj dhe Thoma Gëllçi, nuk arritën të siguronin shumicën e votave.
Në mbledhjen e sotme, asnjëri prej dy kandidatëve të mbetur në garë, Petrit Malaj dhe Thoma Gëllçi nuk arritën të siguronin kuorumin e nevojshëm prej 7 votash. Malaj mori 6 vota kundrejt 5 votave që mori kandidati tjetër, Thoma Gëllçi.
Një javë më parë anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH-së zhvilluan një dëgjesë të hapur ku 16 kandidatët për këtë post paraqitën vizionin dhe platformën e tyre për drejtimin e këtij institucioni.
Konkursi për drejtues të RTSH-së ka qenë i hapur nga data 1-10 qershor, kohë në të cilën kandidatët kanë pasur mundësi të dorëzojnë pranë Këshillit Drejtues të Televizionit Publik Shqiptar, një CV ku paraqitnin platformën e tyre e një plan menaxhimi për institucionin. Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së zgjidhet me 2/3 e votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues për një mandat pesë vjeçar.
ATSH