Një qytetar nga Lezha ka ngritur shqetësimin se vëllai i tij po vijon të mbahet në spitalin COVID 2 prej tre ditësh, ndonëse tamponi për Covid-19 i ka dalë negativ. Duke folur për mikrofonin e ABC News, ai shprehet se i vëllai është dërguar në spitalin e Lezhës dhe pas dyshimeve të mjekëve e kanë sjellë në Tiranë ku i është nënshtruar testit për koronavirus.
Ai shton se vetë mjekët e spitalit COVID 2 kanë thënë se pacienti nuk duhet të mbahet në spital Covid, pasi ka probleme me kokën dhe jo simptoma të Covid-19. Me zërin që i dridhet shprehet se i druhet faktit se i vëllai edhe mund të ketë ndërruar jetë pasi prej tre ditësh nuk ka asnjë lajm nga gjendja e tij shëndetësore.
“Vëllai im pre tre ditësh. Erdhëm nga Lezha. Erdhëm tek Infektivi. Kishte dyshime për Covid. Tamponi doli negativ. Një doktoreshe që takuam dje tha nuk e dimë pse na e kanë sjellë këtu se nuk është për këtu. Ai ka probleme në kokë.
Por këtu nuk është për atë punë, Nuk e di pse e mbajnë te Covidi. Nuk dimë asnjë të dhënë për vëllanë. As e kam parë vëllanë. Jemi në pavijon për Covid, por nuk ka Covid. Mjekun nuk e njohim. Atë ditë që e sollëm në urgjencë thanë se do i përcaktojnë diagnozën. Ata nuk na japin asnjë shpjegim. Asnjë sqarim.
Ne duam ta çojmë aty ku duhet jo për Covid. Mund të ketë vdekur ai dhe ne nuk dimë asgjë. Asnjë njeri nuk na jep informacion. Prej tre ditësh jemi këtu ditë e natë. Dua të di çfarë bëhet me vëllanë tim. Dua të shkojnë aty ku duhet vëllai im.
Pse e mbajnë këtu kur nuk është me Covid. Problemi i tij është në kokë. Është në gjendje shoku. Doktoresha vetë e tha se nuk e di pse e kanë sjellë këtu se nuk është për këtu. Doktoresha tha nuk është për këtu por më erdhi keq dhe nuk e ktheva”, shprehet qytetari. abc