Ivo Sanader, ish-kryeministri kroat është dënuar me tetë vjet burgim në rigjykimin e tij për korrupsion.
Ai është dënuar për përfitim të paligjshëm përmes firmës së marketingut Fimi Media.
Janë shpallur fajtorë edhe bashkëpunëtorët e tij dhe partia që i përket, HDZ.
Firma Fimi Media është angazhuar nga Qeveria kroate dhe përmes punëve që i janë dhënë, kanë përfituar si Sanader, ashtu edhe partia HDZ.
Në mënyrë që të përfitonte, Sanader kishte urdhëruar bashkëpunëtorët që shuma të ndryshme të parave të mos regjistroheshin në librat e afarizimit, bëhet fjalë për periudhën 2005-2008. Paratë e përfituara ishin marrë më pas nga Sanaderi dhe partia.
Më 2007, duke shfrytëzuar autoritetin si kryeministër, Sanader kishte urdhëruar që të angazhohej firma Fimi Media dhe të paguhej edhe për punët e pakryera.
Me vendim të gjykatës, Sanaderit dhe familjarëve të tij u janë ngrirë xhirollogaritë dhe paratë do t’u tërhiqen si dëmshpërblim. Sanaderit do t’i konfiskohet edhe pasuria e paluajtshme në vlerë rreth dy milionë euro.
Partia HDZ është shpallur fajtore për pranim të jashtëligjshëm të mjeteve nga kjo skemë, rreth dy milionë euro. Partia obligohet të paguajë gjobë prej gjysmë milioni euro, pastaj do t’i konfiskohet pasuria në vlerë dy milionë euro dhe do t’i ndalet kaucioni i lënë në gjykatë dhe në Ministrinë e Financave, përkatësisht dy milionë euro dhe 300 mijë euro.
Ivo Sanader ishte kryeministër i Kroacisë për gjashtë vjet, 2003 – 2009.