Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur fajtor Rinor Hykollin, i njohur si menaxheri i Taynës. Ai është dënuar me një vit burgim, ndaj të cilit rëndon akuza e lëndimit të rëndë trupor. Gjyqtari Behar Ymeri ka njoftuar se dënimi do të ekzekutohet pasi aktgjykimi do të marrë formën e prerë.
Hykolli akuzohet se i ka shkaktuar lëndime trupore Liridon Bajramit pas një mosmarrëveshjeje mes tyre në një klub në Gjilan. Koha e qëndrimit në paraburgim ndaj tij do të llogaritet në dënimin e dhënë si dhe ndërpritet paraburgimi ndaj tij.
“I pandehuri Rinor Hykolli, më 22 Korrik 2021 rreth orës 00:40 minuta në diskotekën “Stop”, në Gjilan me dashje dhe me përdorimin e dhunës, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L.B., duke e goditur me dorezë të revoles në pjesën e pasme të kokës, e më pas e ka goditur me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat i njëjti ka kërkuar trajtim mjekësor”, thuhet në aktakuzë.