Ditën e djeshme në qytetin e Korçës është shënuar një rast i paprecedentë ndaj kompanisë së transmetimeve të telekomunikacionit në Shqipëri ABCom, e cila ka njoftuar se rrjeti i kësaj kompanie në Korçë është demtuar masivisht me qëllim konkurencën e pandershme.
Në një deklaratë për shtyp, ABCom e ka quajtur këtë dëmtim të paisjeve si “veprime vandale synojnë të pengojnë ofrimin e shërbimeve me cilësi e teknologji bashkëkohore për qytetin dhe qytetarët e Korçës, duke dëmtuar rëndë parimet e konkurencës së lirë dhe imazhin e investimeve të huaja në Shqipëri.”
“ABCom, ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme pranë institucioneve shtetërore piraterinë televizive, evazionin fiskal dhe “punën në të zezë” të kryer nga operatorë fantazëm dhe ka bashkëpunuar ngushtësisht me kompanitë e tjera serioze të fushës në Shqipëri, në mbështetje të luftës kundër këtyre fenomeneve. Por me keqardhje kemi konstatuar se reagimet konkrete kanë qenë shumë të zbehta dhe jo me efektin e duhur.
ABCom, vazhdon të besoje se reagimi i institucioneve përgjegjëse e të ngarkuara nga ligji do të jetë serioz dhe konkret, në mbrojtje të interesave të qytetarëve, dhe në garantimin e mbrojtjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Gjithashtu ABCom siguron se akte të tilla, nuk kanë për të frenuar apo ndërprerë në asnjë moment investimet dhe misionin e kompanisë për të ofruar shërbimet e saj me teknologjinë më cilësore për qytetin dhe qytetarët e Korçes, ashtu siç ata e meritojne”-përfundon kompania Amerikane me operim në Shqipëri.
Abcom ofron prej 10 vitesh, shërbimin e saj në disa qytete të Shqipërisë shërbimin 3 në 1, ku nëpërmjet një kabulli ofron Televizion, Telefoni dhe Internet.