Delinda Disha është një prej aktoreve më të mira në vendin tonë, sidomos në komedi, teksa prej vitesh ka qenë pjesë e shfaqjeve kabare më të suksesshme në vend dhe së fundmi, pas një “lëvizje” të papritur në verë, moderon bashkëme Fiori Dardhën “Xhadat” në MCN TV. Për këtë ajo ka folur në intervistën në “Natën me Aulonën” mbrëmjen e djeshme, teksa po ashtu për herë të parë ka rrëfyer më shumë për humbjen e fëmijëve, ngjarje tragjike që i ndodhi disa muaj më parë.
Aktorja tha se ky ka qenë një prej momenteve më të vështira në jetën e saj, ndërsa u shpreh se “Ne (bashkë me bashkëshortin) e donim shumë një fëmijë të dytë dhe u bekuam me dy, por fati donte që mos të realizohej”. Mes lotësh, Disha tregoi se ka qenë një ngjarje që i është dashur mbi 1 muaj ta kalojë, teksa ka qenë e ngarkuar emocionalisht gjatë asaj periudhe edhe për shkak se i duhej të ngjitej në skenë, po ashtu kishte edhe një rol në teatër ku luante një grua që kishte humbur fëmijët dhe monologu i asaj pjese ka qenë më i forti që ka bërë në jetën e saj.
Delinda përdori shprehjen “kam ngrënë veten me dhëmbë” për të përshkuar forcën me të cilën i është dashur të kalojë atë periudhë, ndërsa tha se e kanë ndihmuar shumë mesazhet që ka marrë nga personat e tjerë, e sidomos vajzat e gratë që po përjetonin të njejtën tragjedi si ajo dhe së bashku e kishin kaluar.
Nga ana tjetër, aktorja tha se nuk ishte penduar që e kishte bërë publike shtatzëninë, pavarësisht asaj që ndodhi sepse ndonjëherë është më mirë të tregosh të vërtetën dhe “të mos jetosh një gënjeshtër”, ndërsa nga ana tjetër po ashtu tha se i është shumë mirënjohëse Eldos, bashkëshortit të saj për mbështetjen, familjes dhe të birit. Sa i përket këtij të fundit, Delinda zbuloi se ai mezi priste të bëhej me një motër ose vëlla, por ata ja kishin shpjeguar se për momentin kjo nuk do ishte e mundur dhe së shpejti mami dhe babi do përpiqen t’ja plotësojnë dëshirën.