Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj akuzohet se ka ushtruar presion për pushimin nga puna të Alida Totës, drejtoreshës së informacionit në televizionin A1News.
Ky televizion kishte pregatitur një kronikë me material investigues që implikonte Veliajn në një skemë korruptive dhe antiligjore në landfillin e Sharrës, ku disa ditë më parë humbi jetën një fëmijë. Televizionet kombëtare dhe portalet pranë Qeverisë kanë anashkaluar si investigimin, ashtu edhe pushimin e dyshimtë nga puna të drejtoreshës Tota.
Një përhapje shumë të kufizuar pati edhe deklarata e Grida Dumës në emër të Partisë Demokratike, që dënonte shkarkimin e gazetares me urdhër të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Po pse pjesa më e madhe e mediave heshtën?
Tashmë është fakt i njohur se mbi 80% të mediave në vend kontrollohen drejtpërdrejt nga Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Investigimi në fjalë duket se ka qenë shumë shqetësues për kryebashkiakun e Tiranës.
Nëpërmjet dëshmive, zbardhen fakte tronditëse:
– Në landfillin e Sharrës, firma ‘3R’ që është bashkëpronare me Bashkinë e Tiranës, ka punësuar mbi 50 fëmijë dhe të mitur, madje edhe të moshës 10 vjeç. Të gjithë në të zezë;
– Numri i përgjithshëm i punonjësve të landfillit ishte rreth 300 persona, të gjithë të pasiguruar;
– Ardit Gjoklaj punonte në turnin e natës, megjithëse ishte i mitur. Ai u vra ndërsa ishte duke punuar;
– Kushtet e punës ishin jashtë standardeve, pa ujë e pa banjo;
– Erion Veliaj e kishte promovuar personalisht ndërmarrjen e përbashkët Bashki-privat si një histori suksesi që ishte vetëm fillimi. Ai kishte premtuar punësim me siguracione dhe pagë dinjitoze.
Bashkia kishte për detyrë të kontrollonte që punësimi të ishte i ligjshëm dhe sipas standardeve të sigurisë, sepse është bashkëpronare në këtë aktivitet.
Të dhënat e investigimit të A1News, të paraqitura sipas dëshmive, vendosin përpara përgjegjësisë automatikisht institucionin e Bashkisë së Tiranës për krijimin e një ndërmarrjeje me bashkëpronësi publike-private, e cila dyshohet se ka krijuar kushte tërësisht antiligjore për punësimin e të miturve dhe të fshehura me kujdes nga bashkëpronarët, pasi vetëm vrasja e 17-vjeçarit hodhi dritë mbi atë që po ndodhte në landfill dhe ktheu vëmendjen e medas.
Investigimi i A1News ka në të vërtetë fakte që flasin për një ‘Gërdec’ të Veliajt tashmë, pasi, njësoj si dje që akuzonte për punësim fëmijësh në Gërdec, është kapur gafil sot në të njëjtën skema antiligjore të shfrytëzimit të të miturve. Veliaj e di mirë këtë gjë, prandaj ai, mjeshtri i eksibicionit televiziv, politikani më aktiv në media, nuk ka pipëtirë as edhe një gërmë për të dhënë qoftë edhe sqarimin më minimal për pozicionin e bashkisë në këtë histori, por krejt e kundërta dyshohet se ka ndodhur. Veliaj akuzohet drejtpërdrejt nga drejtoresha e informacionit në A1News ai se ka ushtruar presion mbi pronarët e televizionit për ta pushuar drejtoreshën nga puna, pasi ajo dhe ekipi i gazetarëve arritën të siguronin dëshmi të drejtpërdrejta mbi aktivitetin e fabrikës. /HashtagAL