Komisioni i Venecia ka dhënë opinionin lidhur me paketën “Anti-shpifje” të qeverisë shqiptare. Në këtë opinion Komisioni i Venecias vlerëson se ligji ‘anti-shpifje’ ka probleme dhe kështu nuk i ka dhënë të drejtë mazhorancës që e ka propozuar.
Në draft- opinionin e publikuar ditën e sotme, Komisioni i Venecias kërkon rishikimin e paketës “Anti-shpifje”. Ndër të tjera në draft-opinion thuhet se ligji nuk është gati për zbatim, pasi ka paqartësi dhe ndikon në lirinë e fjalës.
“Komisioni i Venecias konsideron se projekt-ndryshimet nuk janë gati për miratim në formën e tyre aktuale. Ligji vuan nga paqartësia dhe ka të ngjarë të ketë një “efekt të ftohtë” duke shtypur diskutimin e lirë dhe fjalimin politik”, shkruhet mes të tjerave në draft. “Komisioni i Venecias rekomandon të rishqyrtojë miratimin e projekt-ndryshimet në ligjin nr. 97/2013 (dhe draft-ndryshimet në lidhje me Ligjin nr. 9918/2008), siç u votua nga Parlamenti në Dhjetor 2019. Problemet e identifikuara nga autoritetet mund të jenë serioze, por mjetet ligjore të futura në projekt-ndryshimet mund të bëjnë më shumë dëm sesa mirë”, vijon ‘Venecia’.
Komisioni thotë se kjo paketë, sipas vërejtjeve të konstatuara dhe nga autoritetet mund të sjellin më shumë dëme se sa të mira. Më tej ajo inkurajon që të ngrihet një organ vetrregullues.
Kujtojmë se “Paketa Anti- Shpifje” u propozua nga mazhoranca si disa ndryshime në ligjin për mediat audiovizive për të rregulluar dhe dënuar shpifjen apo fyerjen në media.
Ishte Këshilli i Europës që çoi në Komisionin e Venecias këtë Paketë teksa OSBE dërgoi versionin e saj të rishikimit të kësaj pakete dhe rekomandimet.
PS u tërhoq nga ligji në fund të janarit të 2020 teksa kreu i grupit parlamentar Taulant Balla sqaroi se do të pritet opinioni i Venecias për këtë çështje dhe më pas të miratohet.