Iker Casillas, një nga legjendat e futbollit spanjoll, ish-portieri i kombëtares iberike dhe Real Madrid, bëri xhiron e mediave dhe rrjeteve sociale ditën e djeshme në të gjithë botën (pa ekzagjërim) pasi në llogarinë e tij në Twiiter u postua një status ku pranonte se ishte gay!
Fillimisht statusi u mor si i mirëqenë dhe sigurisht lajmi u komentua gjërësisht, duke qenë se Iker është i njohur për martesën me Sara Carbonero-n, tashmë ish-gruan e tij, por edhe është përfolur për një marrëdhënie të mundshme me Shkakira-n. Më pas u tha se në fakt deklarata e tij ishte një shaka nga fituesi i “Kupës së Botës”, si për të hedhur poshtë zërat e shumtë për “aventurat” e tij të fundit me femrat.
Megjithatë, sipas vetë Casillas, e vërtetë është krejt ndryshe. Me një status të ri në Twitter, ai konfirmoi se llogaria e tij ishte vjedhur, ndërsa i kërkoi shumë ndjesë komuniteti LGBTQ.
“Llogaria ime ishte hacker-uar. Fatmirësisht gjithçka tani është në rregull. I kërkoj ndjesë gjithë ndjekësve të mi dhe akoma më shumë ndjesë komunitetit LGBT.”
41-vjeçari, fitues i 19 kupave në karrierën e tij, u nda nga Carbonero, gazetare sportive dhe modele, në 2021. Megjithëse pranuan se rrugët e tyre u ndanë, ata premtuan se do të vazhdonin të qëndronin të afërt për të mirën e 2 fëmijëve që kanë bashkë.
Ah po, edhe një foto që qarkullon nga ish-kapiteni i Spanjës, Carles Puyol që mbështet deklaratën (tashmë të hedhur poshtë) nga Casillas për seksualitetin e tij, me shumë gjasë është modifikim, sa për ta bërë historinë edhe më “emocionuese”.