Një debat i ashpër ka ndodhur mes Ekspertit të Shëndetit Publik, Erion Dasho dhe Mjekut Pëllumb Pipero.
Ky i fundit u shpreh se shtimi i rasteve të infektimeve dhe viktimave ndodh edhe në vendet e tjera, por u kundërshtua nga Dasho, i cili tha se në asnjë vend tjetër qytetari nuk paguan 100 euro për një test.
Dasho deklaroi se disa kolegë të tij marrin përqindje sekserësh në spitale për trajtimet e koronavirusit.
“Në asnjë vend nuk paguhet 100 euro për test. Nuk di ndonjë vend ku qytetarët blejnë ajrin për të jetuar. Nuk di ndonjë vend që familjarët të blejnë bombolën e oksigjenit në tregun privat. Ne nuk jemi politikanë, jemi mjek. Të kam ftuar ty dhe kolegët të flasim kundër kësaj qeverie që po e trajton popullin si armik. Kjo qeveri po e lë pacientin shqiptar të paguajë vetë cdo shpenzim, Ka kolegë tanë që po marrin përqindje sekserësh sot. Nuk ka moral të dalë njeri të thotë se situata e Shqipërisë është njësoj si në botë. Në Shqipëri zgjidhet problemi brenda javës.
Kur numrat rriten, nuk merret vendimi i ndalimit të lëvizjes nga ora 10 deri në 6 të mëngjesit. Është në të mirën tonë si mjek që të jemi shërbëtorë të qeverisë, është në nderin tonë të jemi në shërbim të pacientit sepse për atë jemi betuar. Nuk kam ndrojtje që të them se përgjigja shqiptare ka dështruar në cdo element të saj.
Është koha për të marrë masa, sepse nëse vazhdojmë me masa eksperimentale si kjo e sotmja, do të kemi më shumë se 500 raste. Deri tani tregu i zi ka arritur ta suportojë qytetarin me oksigjen, por sot nuk do e përballojë dot më. Sot nuk ka më kapacitete, e kemi lënë qytetarin shqiptar aty ku nuk mban më”, tha Dasho.