uk është më surprizë! Dance With Me nis edicionin e 5-të mw 17 shtator. Pas plot katër edicioneve me personazhe interesante, karaktere nga fusha të ndryshme të artit, kulturës, politikës, biznesit apo shoqërisë civile, skenën e kërcimit këtë vit do ta provojnë personazhe edhe më të gjallë. Edhe këtë edicion, produksioni ka nisur nga puna për të pasur një kast të larmishëm personazhesh, të cilët jo vetëm kanë dëshirë të kërcejnë, por sidomos të sfidojnë veten duke i dhënë publikut një profil tjetër nga ai që njohim.
Jashtë punës dhe profesionit të tyre, sfida e konkurrentëve është të shpalosin talentin në një fushë të panjohur, por njëkohësisht të fitojnë shpejt zemrat e publikut me komunikimin e tyre të hapur (me këtë rast, edhe të jurisë për të fituar disa pikë më shumë). Nën firmën Vera Grabockës dhe Alketa Vejsiut, si çdo vit, këtë herë personazhet do të kombinohen në çifte për të qenë unikë.
Po cilët janë çiftet në garë?
Monika Lubonja dhe Donald Veshaj
Revolucionarja e filmit dhe e ekranit, Monika Lubonja është një prej aktoreve që di të hyjë në lëkurën e çdo roli. Që në fillim të viteve ’90, Monika guxoi më shumë se askush tjetër me interpretimin e personazheve të zhveshur nga pluhuri i së kaluarës. Kush fshihej pas Monikës, nuk ishte më një grua e përulur, e trishtë, e bindur dhe e përbuzuar, përkundrazi. Ajo theu tabutë për të treguar se filmi shqiptar duhet të notonte në ujëra të tjerë, më të guximshëm e më të fortë. Personazhi grua që interpretoi Monika ishte e guximshme. Dhe jo vetëm sepse i hoqi “perden” syve të shoqërisë, por edhe sepse e prezantoi gruan me dimensionin e saj të plotë: të fortë e të brishtë, të pavarur e sensuale, sfiduese dhe romantike.
Monika numëron sot dhjetëra role në film dhe në teatër, por është edhe e para producente grua e shumë shfaqjeve në Teatrin e Kukullave, institucion në të cilin për më shumë se katër vite ishte drejtuese. Monika në film apo Monika në teatër? Ndoshta edhe ajo e ka të vështirë ta bëjë zgjedhjen, po për momentin do të shijojë për një sezon të gjatë kërcimin. Ndonëse me të nuk e ka aq të ngushtë raportin sa me teatrin, sprova e parë e mirëfilltë lind në Dance With Me.
Të gjithë e njohin si “Montela” i Al Pazarit. Meqenëse është zyrtarisht më i madh (5 minuta), nuk janë të pakta rastet kur bën “të fortin”, por nuk është gjithmonë trim. Fjala i dëgjohet si vëlla i madh, por ndoshta te gjinia tjetër, jo edhe aq. Jashtë roleve në spektaklin e humorit, Donaldiështë një artist shumëdimensional, studion për pikturë, pëlqen fotografinë, ka pasion aktrimin, tani edhe kërcimin e kush e di dhe sa pasione të tjera mund të zbulojë gjatë rrugës.
Eni Jani dhe Genci Fuga
Era e ëmbël dhe e trishtë e “Njerëz dhe fate”, asokohe Eni Jani u kthye në idhullin e shumë vajzave të reja që aspironin aktrimin dhe ekranin. Jo sepse zbuloi një profil të ri të një vajze që dëshironte një të ardhme më të mirë për familjen dhe veten, por edhe sepse krijoi një imazh që publiku nuk e harroi më. Melankolike, e paqtë dhe me një qëndrim naiv në dukje, Eni shfaqi talentin si artiste shumëdimensionale. Nuk kaloi shumë kohë dhe rolet e saj nisën të krijonin një profil më të plotë të aktores dhe regjisores së njohur. Rolet si protagoniste në film dhe në teatër e kanë kthyer Enin në një prej aktoreve më të kërkuara e më të dashura të publikut. Jashtë skenës së teatrit apo sheshit të xhirimit, Eni, natyrisht ka edhe pasione të tjera, një prej të cilave është edhe kërcimi. Në këtë edicion, sfida e saj është e dyfishtë dhe arsyen do ta zbuloni vetëm gjatë spektaklit.
Po të themi që është bashkëshorti i Eni Janit, mjafton? Sigurisht që jo! Genci Fuga – regjisori dhe aktori që flet me të gjitha rolet dhe për të gjithë personazhet. Sepse është zëri që di të luajë me çdo personazh dhe rrëfimtari me zërin më të veçantë që mund të keni dëgjuar. U bënë shumë vite që nga koha kur në Akademinë e Arteve u njoh me studenten që pak kohë më vonë, do të ishte e zgjedhura e tij e jetës. Bashkë me Enin, Genci ka luajtur një sërë rolesh në teatër, madje edhe si çift bashkëshortësh, ashtu siç numëron edhe shumë role të tjera protagoniste që e kanë shoqëruar me brohorima e duartrokitje të gjata nga publiku. Për filmin, por sidomos për teatrin, Gencit i qan shpirti, ndaj edhe nuk mund të gjente paqe edhe kohët e fundit me kauzën e gjatë të teatrit.
Megjithatë, me gjithë problematikat që shfaq profesioni dhe pasioni i tij më i madh, Genci do ta lërë për pak kohë “zonën e nxehtë” të teatrit për të ndezur skenën e “Dance With Me”. Këtu nuk vjen vetëm për të sfiduar veten në kërcim, por edhe për t’i treguar Enit, se ia del edhe aty ku bashkëshortja e tij, ndoshta nuk beson aq shumë.
Kiara Tito dhe Sazan Guri
Është moderatore, por edhe modeling-u është pika e saj e fortë. Vjen për të provuar veten edhe në kërcim. Moderatorja bukuroshe e ekranit të Tv Klan është një ndër figurat më tërheqese dhe më të komentuara në mediat tozë. Ajo është spontane në prezantim, sensuale dhe me mjaft stil. Kiara ka mbyllur një sezon të suksesshëm të formatit Dr. Platik në Tv Klan dhe tashmë është gati për një angazhim të ri. Kërcimi, me siguri, është një pikë e fortë e saj, por Kiara në skenën e Dance With Me do të mësojë se si të jetë edhe një balerinë profesioniste. Brenda familjes së madhe të Tv Klan, Kiara do të jetë shumë komode për të dhënë maksimumin e saj në këtë sfidë të re…
Zëri që flet për gjithçka shqetëson shoqërinë tonë, zëri i të gjithëve para çdo padrejtësie që i bëhet shoqërisë civile. Sazan Gurit nuk i intereson se cila politikë fiton ndaj një tjetre, ai ka lindur për të qenë antikonformist. Një prej ambientalistëve që mund ta shikosh çdo ditë rrugëve të Tiranës me biçikletë, madje edhe duke reaguar ndaj fenomeneve që ndotin mjedisin. I pari që vjen pa u menduar dy herë në studio televizive, sa herë ka një temë që shqetëson shoqërinë tonë.
Por skena e kërcimit nuk do të jetë një “arenë” debati për të. Ose, nëse kthehet e tillë për aftësitë e tij në të kërcyer, Sazan Guri, me siguri do t’i gjejë argumentet për t’u vetëmbrojtur. Sfidat, sado të vështira qofshin, nuk janë aspak problem për protagonistin e mediave dhe përfaqësuesin më të denjë të shoqërisë civile.
Leila Kraja dhe Robert Berisha
Brunia bukuroshe është një emër i ri i ekranit, por një “shpërthim” i vërtetë. Nuk duket aspak si vajzat e bukura dhe vetëm aq, përkundrazi. Lejla duket kudo që është. Që nga fotot në rrjetet e saj sociale, programet televizive, ashtu edhe natyrën e hapur që ka me publikun. Sezonin e fundit sportiv, Lei iu bashkua RuskiBar në Digitalb me intervista direkte dhe opinione nga terreni. Origjinale, ngacmuese kur do, por edhe e drejtpërdrejtë. Futbollin, e dimë që e dashuron, aq sa edhe “lojën” e meshkujve kur e komplimentojnë për imazhin dhe pyetjet me spec. Lozonjare, por jo edhe aq sa duket Lei…
Kërcimi është një fushë që ndoshta nuk e ka pikë të fortë aq sa gazetarinë, por në Dance, me siguri, do ta kthejë shumë shpejt në aset të vetes. Sepse Lei nuk i njeh “humbjet”… Aq më tepër nga sfidat e reja.
Më shumë sesa Roberti i muzikës, ne e kemi njohur dhe identifikuar si bashkëshorti i Nora Istrefit. Por ashtu si ajo, edhe Roberti ka shumë vite në muzikë, madje vitet e fundit, ka nisur edhe karrierën si këngëtar. “MIA” (Made In Albania) ishte goditja e parë e tij si solist, edhe pse kishte vite si muzikant. Ajo pasoi edhe me disa këngë të tjera, madje edhe në bashkëpunim me Norën. “S’ka inate”, kënga që çifti i bashkëshortëve publikuan verën e vitit të kaluar, ishte si një sfidë e hapur për Robertin përballë Norës që numëron disa vite si këngëtare. Që nga koha kur debutoi si këngëtar, numëron disa projekte të suksesshme muzikore. Tashmë, bashkë me Norën, por edhe me grupin e tij muzikor, Roberti është aktiv në koncerte muzikore, në Shqipëri, Kosovë e diasporë.
Në Dance With Me ishte Nora që mori pjesë qysh në edicionin e parë, por iu desh ta linte në mes garën pasi mësoi se në jetë pas pak kohësh do të vinte Renee. Tashmë, edhe Roberti do ta provojë veten në kërcim dhe do të tregojë një anë të panjohur për publikun.
Alma Çupi dhe Romeo Veshaj
Një prej gazetareve të njohura të ekranit, por sidomos të terrenit. Gjithçka nga Shqipëria, që nga Vermoshi në Konispol e kemi mësuar përmes “Histori shqiptare”, programi që mban autorësinë e Almës. Mysafire në të gjitha shtëpitë dhe në zonat më të thella, Alma di të nxjerrë prej andej kulturën, traditat dhe recetat më të shijshme. Shtëpitë dhe rrugët e moçme, gjurmët e traditave shqiptare vazhdojnë të jetë në fokus të programit të saj, që shumë shpejt do të rinisë në Tv Klan.
Dhe paralel me të, gazetarja do të provojë veten edhe në një fushë tjetër. Kërcimi, një prej pasioneve të Almës, do të konkretizohet këtë sezon vjeshte në skenën e DWM. Provat nga palestra e DWM kanë nisur dhe Alma është gati për sfidën e re. Të paktën stërvitjen me muskujt nuk e ka aspak problem ta përballojë, pas gjithë këtyre viteve nga njëri skaj i Shqipërisë në tjetrin.
Nëse ne kemi vetëm një profil djali me emrin Romeo, ky që kemi këtë vit në DWM nuk është ai. Ose, nëse është, do na duhet ta zbulojmë javë pas jave. Gjysma tjetër e Al Pazarit njihet si ‘Montana’. Ishte vetëm 17 vjeç kur u bë pjesë e spektaklit të humorit – atëherë kur arriti të realizojë ëndrrën e madhe për t’u bërë aktor, por rrugës pa se nuk ishte aq e thjeshtë për të qenë në krye. Romeo studion në Universitetin e Arteve për regjisurë, por një ditë shpreson se do të bëhet aktor i madh. Motoja që e shoqëron në jetë është “Nëse do të jesh i suksesshëm, paguaje suksesin me punë”.
Rashel Kolaneci dhe Seldi Qalliu
Një tjetër vajzë mjaft e përfolur e showbiz-it. Nga modeling-u, Rasheli “kërceu” drejt e në “Xing me Ermalin”, por pak muaj më vonë, u largua pa e mësuar arsyen e vërtetë. Ekranin e ka pasionin e saj të madh dhe duket se edhe ai e do njëlloj. Mjafton të klikoni emrin e saj në Google, lajmet për Rashelin janë me dhjetëra. Raportin me publikun, me mediat, ashtu si edhe me fotografinë, Rashel e ka të shkëlqyer, ndaj nuk ka dyshim që këtë edicion të Dance do të triumfojë edhe në skenën e kërcimit.
Seldi Qalliu ishte një prej personazheve më interesante të Big Brother 3. Asokohe, kur u bë pjesë e reality show-t, kishte publikuar disa këngë, por fama në Big Brother i dha edhe më shumë sukses në muzikë. Seldi ka studiuar në Akademine e Arteve, dega Kanto.
Veç muzikës, Seldi është një ndër personazhet më të përfolur edhe sa i përket jetës private. Lidhjet me vajzat e njohura e kanë vënë në qendër të vëmendjes së publikut, edhe pse duket pak i pafat në drejtim të dashurisë. Fejesa me këngetaren Mimoza Shkodra, sipas mediave, duket se ka përfunduar dhe Seldi është në një fazë të re të jetës që, për momentin, po e nis me Dance With Me. Sfida është e vështirë, por, me siguri, për Seldin nuk do të jetë edhe aq. Ai kërcen në çdo videoklip, kështu që të gjithë konkurrentët e tjerë, vështirë do ta kenë përballë tij.