Suksesi i tri edicioneve të para, me shumë karaktere nga fusha të ndryshme të artit, kulturës, politikës dhe biznesit, ka bërë që edhe këtë vit produksioni të kujdeset për të pasur një kast të larmishëm me personazhe, që jo vetëm të shpalosin talentin e tyre në një fushë të panjohur, por njëkohësisht të fitojnë shpejt zemrat e publikut me komunikimin e drejtpërdrejtë me të. Nën firmën e Vera Grabockës dhe Alketa Vejsiut, si çdo vit, edhe këtë herë personazhet janë kombinuar. Vijnë nga fusha të ndryshme të artit: muzikë, televizion, biznes, modeling etj.
Por çfarë e bën të veçantë spektaklin e këtij viti në Tv Klan? Ndryshe nga herët e tjera, ky sezon sjell një çift të vërtetë. Xheni dhe Benardi, një çift i ri që kanë dalë nga Big Brother 9, do të tregojnë jo vetëm kiminë e tyre skenike, por edhe atë reale. Si fillim, ata të dy ndihen paksa të pasigurt, por shumë shpejt do të shikoni që do t’i fitojnë zemrat e publikut.
Për herë të parë në një format të tillë në ekranin shqiptar, në DWM do të marrë pjesë edhe një transgjinore, Linda Rei, e cila vjen jo vetëm për të treguar pasionin dhe aftësitë për kërcimin, por njëkohësisht edhe për të përfaqësuar një grupim shumë pak të pranishëm në ekranet shqiptare.
Mes shumë emrave të lakuar në media, produksioni zyrtarizon të gjithë konkurrentët që do të jenë pjesë e kastit këtë vit:
Xhensila Pere
Sapo mori titullin Miss World Albania 2014, emri i Xhensilës u bë shumë familjar për publikun shqiptar, por edhe për eventet e Miss-eve. Përfaqësuesja e Shqipërisë në Miss World 2014, në Londër, nuk e la me aq ambicien për të qenë pjesë e modelingut, por edhe e ekranit të madh. Pas shumë pjesëmarrjeve në evente të tjera kulturore, Xhensila hodhi edhe një hap më shumë drejt televizionit kur mori pjesë në Big Brother 8, në vitin 2015. Pjesëmarrja në këtë reality show nxori edhe më shumë në pah personalitetin të Xhesit dhe dëshirën për t’u shkuar gjërave që do deri në fund.
Veten e ka sprovuar jo vetëm në fushën e modelingut (një armë e formë tashmë për të), por edhe në atë të biznesit. Megjithatë, një dëshirë magnetike që e tërheq gjithmonë pas vetes është dhe do të mbetet ekrani. Në këtë sfidë të re kërcimi, me siguri Xhensila do të shfaqë të tjera tipare të karakterit të saj luftarak.
Trim Jetullahu
Një reper nga Kosova që ka spikatur jo vetëm me këngët e tij, por edhe me fizikun tërheqës. Trimi ka bashkëpunuar edhe me këngëtarë të tjerë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova, por dueti me Çiljetën “Bubu” i këtij viti ka mbledhur fansat e dy artistëve dhe është pëlqyer shumë.
“Ring ring”, “S’kom faj”, “Bla bla bla” janë disa këngë të tjera të repertorit të tij. Njëkohësisht, 23-vjeçari është bërë pjesë edhe e mediave rozë, por ende nuk është zbuluar ndonjë lidhje e re dashurie. I ftuar pak muaj më parë në Top Magazine, Trimi tha se jetën private ka dëshirë ta mbajë për vete.
Shpresojmë që në korridoret e DWM të shohim ndonjë bukuroshe që pret…
Xheni dhe Bernardi
Kush nuk i njeh këta të dy dhe kush nuk e ka zili dashurinë e tyre? Një çift 21-vjeçarësh që e gjetën veten krejt rastësisht në Big Brother 9, e pëlqyen njëri-tjetrin dhe u dashuruan. Pas daljes nga shtëpia, me Xhenin dhe Benardin nuk ndodhi si me shumicën e personazheve pas reality show-t. Fansat jo vetëm që filluan t’i kërkonin e t’i pëlqenin çdo ditë e më shumë, por edhe e adhurojnë dashurinë dhe përkushtimin që ata të dy kanë për njëri-tjetrin.
Tani që publiku do t’i shohë në një sfidë të re, çifti do të zbulojnë edhe anën tjetër të tyre të pashfaqur më parë. Dhe, me siguri, fansat do t’u shtohen edhe më shumë.
Fiori Dardha
Gazetarja dhe moderatorja e njohur, tashmë është e mësuar dhe e sprovuar me ekranin. Prej vitesh në televizion, për Fiorin është kthyer qëllim gazetaria investigative. Dëshira dhe pasioni për t’u shkuar të vërtetave deri në fund e ka karakterizuar Fiorin qysh në fillimet e saj në gazetari. Një profil që e ruan më shumë fanatizëm dhe përkushtim edhe tani që drejton “Boom” së bashku me Rozana Radin në Ora News. Por duke kërcyer, Fiorin nuk e kemi parë, përveç disa videove nga dasma e saj, që ajo ka ndarë me miqtë virtualë. Nëse ju kujtohet, energjia nuk i ka shteruar për asnjë sekondë deri në fund. Me siguri, e tillë do të jetë edhe në këtë sfidë të vërtetë kërcimi.
Iljard Shaba
Muzika është pasioni dhe profesioni i tij tashmë prej vitesh. Vilonçelisti i talentuar është i njohur për artin e veçantë të të bërit muzikë. Violonçeli, për të nuk është është thjeshtë një instrument, por është një pjesë e ndjesive të shpirtit, me të cilat, ai luan më mirë se kushdo. Mbrëmjet dhe eventet e ndryshme në Tiranë ndryshojnë katërcipërisht atmosferë kur kanë të ftuar Iljardin. Ftesën në DWM, violonçelisti e priti me shumë kënaqësi. Me siguri, të gjithë do të kemi rastin të shijojmë një performancë të gjallë nga duart e tij mbi violonçel, por, natyrisht, do të jetë surprizë javë pas jave edhe sfida e kërcimit.
Anais Lika
Aktorja Anais Lika është bërë familjare pas pjesëmarrjes në lojën e programit “Pa limit” në Top Channel, por edhe të projekteve të tjera në fushën e aktrimit. Me mjeshtëri aktrimi, plastikë të jashtëzakonshme për të imituar çdo profil dhe me energji të rrallë, Ana e bëri shpejt publikun për vete. Edhe Ana, si edhe shumë personazhe të tjerë të njohur, nuk u ka shpëtuar titujve të mediave rozë, por asgjë edhe për të… deri tani.
Ende nuk dimë si do të jetë sfida e kërcimit për të, por me siguri, energjia nuk do t’i shterojë për asnjë moment. Mbesë e motrave Gjoni, Ana qysh fëmijë i ka ndjekur dhe imituar, pa dyshim, performancat e tezeve në fillim të karrierës së tyre, kështu që pritshmëritë për të janë të larta.
Albi Isakaj
Moderatori i njohur i InTV është pjesë e grupit “djemtë e bukur të ekranit”. Albi ka bërë për vete shumë fansa, kryesisht të gjininë femërore, jo vetëm me aftësitë e tij televizive, por edhe me postimet në rrjetet sociale. Në grupin e të rinjve të ekranit, Albi ka sjellë një model të ri moderatori, pa barriera, pa “turp” dhe pa “mos”-e. Ekrani, për të, është një mënyrë të shprehuri të vetes.
Me siguri, edhe DWM, një mënyrë e tillë do të jetë për të, në një dimension të ri.
Rovena Stefa
Pjesë e skenave muzikore qysh në moshë të vogël, Rovena spikati më zërin e veçantë. Sot, në repertorin e saj muzikor numërohen dhjetëra këngë, shumë prej të cilave hite që ajo i këndon bashkë me publikun në koncertet e saj. Prej vitesh, Rovena këndon në skenat muzikore në Itali, Greqi, Maqedoni, Kosovë, Zvicër, Suedi, Danimarkë, Norvegji, Belgjikë etj. Ajo është njohur nga e gjithë diaspora shqiptare dhe koncertet e saj kudo ku jetojnë shqiptarët janë të panumërt.
Një pjesë e repertorit të Rovenës i përkasin edhe zhanrit folk: “A po vjen me mue”, “Dasma”, “Me kapele karrocieri”, “Jam ëmbëlsire”, “Llokum”, “Adresë pa emër”, “Burrë të martuar dashurova” janë disa prej këngëve që artisja i këndon në koncertet e saj.
Pasionin për kërcimin, Rovena e ka pasur qysh fëmijë. Kjo është e dukshme edhe në klipet e saj muzikore. Por kjo sfidë në DWM do të jetë, me siguri, një sfidë e re, të cilën, Rovena mezi po e pret. Edhe marrëdhënia e drejtpërdrejtë me publikun shqiptar, që i ka munguar për një kohë, do të zbulojë emocione të reja për të.
Meriton Mjekiqi
Pas pjesëmarrjes në programin televiziv “Edhe unë dua të bëhem top model”, një garë mes të rinjve që duan të jenë pjesë e modelingut, Meriton Mjekiqi filloi të angazhohej më shumë në ekran. Edhe për shkak të pamjes, ai fitoi shpejt simpati në publik e më pas u angazhua edhe si gazetar në “1 kafe me Labin” dhe si prezantues në “Radio 21”.
Aktualisht, Meritoni është i angazhuar si moderator në Klan Kosova. Sfidën në DWM, edhe ai e ka pritur me shumë kënaqësi. Presim sa do ta Meritojë vëmendjen e publikut në një sfidë të re për të.
Linda Rei
Për herë të parë në një format televiziv është pjësëmarrëse edhe një transgjinore. Linda Rei nuk ishte një emër i padëgjuar për publikun shqiptar, por u kthye shumë shpejt në titull të parë pasi ishte e ftuar në “Zonë e lirë” pak muaj më parë, ku edhe rrëfeu historinë e saj personale. Duke ndarë me publikun historinë e jetës, Linda shfaqi edhe ambiciet për të qenë pjesë e ekranit. Vetëm pak ditë më parë, Rei u kthye sërish në personazh dite. Fejesa e saj e bujshme me një biznesmen të pasur nuk kaloi pa marrë vëmendjen e të gjithëve.
Rrugëtimi në DWM do të jetë një eksperiencë e re për të, por edhe për publikun e pamësuar me të tilla personazhe. Natyrisht, edhe Linda do të bëjë maksimumin për të treguar vlerat e veta edhe në kërcim, fushë të cilën ajo e ka shumë për zemër.