Ka lumturi dhe pak zhgënjim në komunitetin shkencor pas deklaratës për rezultatin e testimeve të vaksinës kundër SARS-COV-2 nga universiteti i Oksfordit, në bashkëpunim me grupin farmaceutik Astra Zeneca.
Pas testimeve mbi më shumë se 20 mijë vullnetarë, në Britaninë e Madhe, por edhe në Brazil, vaksina ka dhënë një mbrojtje në 70% të rasteve. Një rezultat i mirë, por jo në nivelin e dy konkurrenteve të tjera, Pfizer dhe Moderna, që deklaruan se ishin rezultativ në 95% të rasteve.
Gjithsesi, lajmi i arritjes së vaksinës të përgatitur nga Oksfordi mbetet një lajm shumë i mirë, për vetë karakteristikat e vaksinës.
Vaksina Oksford-Astra Zeneca është ndjeshëm më e lirë se dy të tjerat dhe mund të depozitohet në mënyrë më të thjeshtë dhe me temperatura më të larta se dy të tjerat, duke i dhënë mundësi transportit edhe në vende që nuk kanë infrastrukturën e duhur për vaksinat e Pfizer dhe Moderna.
Studiuesit treguan se përqindja e mbrojtjes rritej gjithsesi në 90%, për arsyeje ende të paqarta, kur vullnetarëve i injektohej fillimisht një gjysmë doze vaksine në fillim dhe më pas një dozë të plotë.
Sipas universitetit, janë 4 milionë vaksinat e gatshme nga Astra Zeneca, dhe 95 milionë pritet të prodhohen në javët në vijim, por kjo do të ndodhë vetëm pas miratimit të autoriteteve shëndetësore.