Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tragjike në xhirimet e filmit “Rust”, ku Alec Baldwin vrau aksidentalisht drejtoreshën e fotografisë dhe plagosi regjisorin. “Daily Mail” raporton se ishte ndihmës regjisori Dave Halls ai që doli jashtë për të marrë një armë dhe e çoi në sheshin e xhirimit, duke ia dorëzuar yllit të filmit, Alec Baldwin. Ai e ka siguruar atë se ishte e sigurt për t’u përdorur sepse nuk kishte municion brenda saj.
“Arma është e sigurt dhe e pambushur”, kishte thënë Halls gjatë xhirimeve pak para ngjarjes tragjike.
Por arma nuk ishte e zbrazët, thuhet sipas të dhënave të gjykatës të bëra publike të premten. Kur Baldwin tërhoqi këmbëzën të enjten, ai vrau drejtoreshën e fotografisë Halyna Hutchins dhe plagosi regjisorin Joel Souza, i cili po qëndronte pas saj.
Tragjedia erdhi gati tre dekada pasi Brandon Lee, djali i legjendës së arteve marciale, Bruce Lee, vdiq në një rast të ngjashëm.