Dy emrat e parë që u përfolën që do të performonin në shfaqjen hapëse të Kupës së Botës në Katar ishin Dua Lipa dhe Shakira.
Mirëpo lajmi u hodh poshtë nga vetë protagonistet, ku Dua në një postim u shpreh se nuk do të merrte pjesë pasi vendi organizator ishte “kundër besimeve të saj”.
Ky qëndrim i saj u duartrokit nga aktivistët e të drejtave të njeriut, pas polemikave që rrethuan këtë turne të futbollit mbi trajtimin e punëtorëve migrantë nga Katari dhe kriminalizimin e marrëdhënieve të të njëjtit seks.
“Unë nuk do të performoj dhe as nuk kam qenë ndonjëherë e përfshirë në ndonjë negociatë për të performuar,”-u shpreh më herët në fjalën e saj ylli i popit.
Mirëpo së fundmi “Daily Mail” ka zbuluar disa emaile që tregojnë se Dukagjin Lipa, babai njëkohësisht edhe menxheri i Dua Lipës ka negociuar prej dy vitesh me organizatorët e Kupës së Botës në Katar për të marrë Duan si këngëtare.
Dokumentet detajojnë se si babai i këngëtares me origjinë nga Kosova, i njohur si Dugi, iu afrua për herë të parë organit organizues të Kupës së Botës të Katarit, Komitetit Suprem për Dorëzim dhe Trashëgimi, në vitin 2020.
Në emailin e tij fillestar më 9 mars 2020, ai shkroi: “Unë përfaqësoj vajzën time, artisten Dua Lipa dhe kam dëshirë të diskutoj me Komitetin e Lartë planet për shfaqjet e artistëve për Kupën e Botës në Katar 2022”.
Në janar 2021, ai shkroi: “Unë thjesht doja të ndiqja emailin tim të mëparshëm dhe po pyesja veten nëse do të ishte e mundur që ne të diskutonim çdo mundësi që do të lindte ku mund të ndihmojmë?”
Në mesazhet, të cilat zhvillohen gjatë gati dy viteve, 53-vjeçari thotë: “Unë përfaqësoj vajzën time”.
Ai gjithashtu flet për lidhjet e tij me artistë të tjerë si Calvin Harris, Miley Cyrus, Shawn Mendez dhe Camila Cabello.
Dua Lipa nuk mendohet të ketë qenë në dijeni të këtyre negociatave të babait të saj.
“Në vitin 2020 kam pasur disa shkëmbime me email me ekipin e marketingut të Kupës së Botës të Katarit në kapacitetin tim personal si organizator i festivalit.
Dua nuk ishte e përfshirë apo në dijeni për ato mesazhe. Kur u prezantova, u dhashë atyre sfondin tim të plotë që përfshinte përfaqësimin tim të Dua-s. Por unë sqarova se nuk po flisja me ta me mendjen e saj dhe e bëra shumë të qartë kur më pyetën nëse pyetjet e mia kishin të bënin me Duan.
Kjo ishte në fillim të vitit 2021, në një kohë kur Katari kishte bërë disa premtime (që nga fitimi i kontratës së Kupës së Botës) për të reformuar ligjet e tyre të punës dhe për të ndryshuar të dhënat e tyre të të drejtave të njeriut. Ndërsa biseda vazhdoi dhe Kupa e Botës po afrohej, u bë shumë e qartë se këto premtime nuk do të respektoheshin, kështu që unë ndalova së foluri me ta.
“Që atëherë më kanë kontaktuar disa njerëz të lidhur me Kupën e Botës të Katarit, për të cilët e kam bërë të qartë se Dua nuk do të përfshihej me ta,”-u shpreh Dukagjin Lipa disa kohë më pas në një deklaratë.